​Zyrtare: Pezullohen pagesat e kësteve të kredisë nga data 16 mars deri më 30 prill

Duke marrë parasysh situatën e krijuar për shkak të përhapjes së koronavirusit, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka ndërmarrë disa masa lidhur me funksionimin normal të sistemit financiar.

Masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës me qëllim ndaljen e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19, pritet të ndikojnë në zhvillimin e aktivitetit të bizneseve dhe zvogëlimin e të hyrave për bizneset dhe në aftësinë paguese të tyre.

Duke marrë parasysh këtë, guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti, së bashku me anëtarët e Bordit Ekzekutiv ka zhvilluar takime gjatë dy javëve të fundit për të diskutuar lidhur me zhvillimet në vend, me ç’rast është vendosur bashkërisht që bizneseve dhe individëve t’iu mundësohet pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë, nga data 16 mars deri më 30 prill 2020 dhe varësisht nga situata ky pezullim të shqyrtohet edhe për më gjatë.

Pezullimet e pagesave të kësteve të kredisë do të shqyrtohen për të gjitha rastet veç e veç me qëllimin që sektori bankar t’i ndihmojë klientët e tyre në tejkalimin e situatës së krijuar, thuhet në komunikatën për media.

BQK rekomandon kredi-marrësit, të cilët kanë hasur vështirësi financiare, si rezultat i rënies së të hyrave personale apo biznesore, të kontaktojnë bankat e tyre me kërkesën për pezullim të pagesave të kësteve të kredisë dhe në rastet e aprovimit nga ana e bankës, interesat ndëshkuese të lidhura me kreditë nuk do të aplikohen në këtë periudhë.

Gjatë kësaj periudhe, ndaj kredi-marrësve nuk do të aplikohen masa të përkeqësimit të klasifikimit kreditor.

Me këtë rast, me rastin e pezullimit të pagesave të kredive, BQK-ja ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore që kreditë të mos klasifikohen, të mos kërkohen provizione shtesë dhe të mos klasifikohen si kredi me probleme në regjistrin e kredive.

BQK për shkak të situatës së krijuar me koronavirus ka vendosur për pezullimin e përkohshëm të disa nga dispozitat e rregulloreve të saj që kanë të bëjnë me stabilitetin e sistemit financiar të vendit