Nga nesër hiqet taksa 100%, aplikohet reciprociteti ndaj Serbisë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti në konferencën për medie së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, kanë njoftuar se nga e mërkura (1 prill), do të filloj të aplikohet masa e reciprocitetit ndaj produkteve  që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Kurti tregoi se vendimi do të merret sonte në mbledhjen e Qeverisë, e që pritet të zgjasë deri pas orës 22:00.

“Sot është një ditë e veçantë, meqë Qeveria e Kosovës, po mbanë një mbledhje për një çështje shumë të rëndësishme, për batimin gradual të reciprocitetit, si parim në marrëdhëniet me Serbinë. Në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, emërtimet e përdorura në dokumentet si në vijim, duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi”, theksoi  ai.

E këto emërtime do të përdoren në dokumente si certifikata hidro-sanitare, për produktet ushqimore dhe jo-ushqimore me përmbajtje jo-shtazore që i nënshtrohen kontrollit hidro-sanitare në kufi dhe certifikata hidro-sanitare për produktet ushqimore dhe jo-ushqimore që i nënshtrohen kontrollit sanitar në kufi.

Ky vendim duhet të zbatohet nga kontrollet kufitare, Dogana, Policia e Kosovës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Agjencia për produkte dhe pajisje mecinale dhe institucionet e tjera.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti bëri të ditur se tarifa 100 për qind ndaj produkteve të Bosnje e Hercegovinës do të hiqet plotësisht.

“Me Bosnje e Hercegovinën do ta heqim plotësisht tarifën 100 për qind, nuk do ta trajtojmë sikur Serbinë”, tha Kurti.

Ndërkaq, Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, tha se ky vendim është i bazuar në shumë argumente që janë punuar brenda Ministrisë me grupin punues, që ka përfshirë shumë akterë vendorë duke përfshirë Doganën, Odat Ekonomike, Klubin e Prodhuesve, Departamentin e Tregtisë dhe Industrisë, ku të gjithë së bashku nga data 20 shkurt kanë punuar deri më tani duke identifikuar të gjitha barrierat që i kanë në raportet tregtare me Serbinë, dhe se aty shprehen shumë barriera.