Anglia synon fitore në nismë të “xhiros fantastike”

Shpresat e Gareth Southgate që Anglia mund të ketë “xhiro fantastike” në Kupën e Botës kanë sjellë shumë gëzim tek anglezët.

“Tre Luanët” nisin kampanjën në Kupën e Botës, të hënën prej orës 14:00 ndaj Iranit. Ndeshja i takon Grupit B të Kupës së Botës në Katar.

“Sfida jonë është që t’u japim tifozëve një turne për të mbajtur mend”, ka thënë Southgate.

“Vendi ynë ka pasur periudhë të vështirë në mes të krizës ekonomike dhe jeta për shumë njerëz ishte e vështirë. Ne duam që ata së bashku me ekipin të kenë një xhiros që sjell gëzim”, ka shtuar selektori anglez.

Anglia futet në ndeshje si favorite e madhe, por selektori Southgate thotë se lojtarët e tij duhet të jenë të durueshëm nëse nuk shënojnë gol të hershëm. Ai thotë se Anglia ka përfunduar me sukses ndeshje si kjo me Iranin. Southgate thekson se anglezët nuk duhet të shfaqin frustrim nëse nuk shënojnë shpejtë.

“Ekipi ynë ka pasur sfida të ndryshme. Duhet të përgjigjemi në mënyrën e duhur dhe këtë synojmë ta bëjmë në këtë turne”, thotë Southgate.

Anglia vlerësohet prej favoriteve për ta fituar Botërorin. Këtë e pranon edhe selektori i Iranit, Carlos Queiroz.

“Çka mund të them për Anglinë? Një prej përfaqësueseve më të mira në botë. Është kandidate e madhe për finale, pse jo për titull të botës. Anglia ka luajtur mirë në Botërorin dhe Evropianin e kaluar. Ka aq shumë talente”, ka thënë Queiroz.

Anglia do të jetë pa mesfushorin James Maddison dhe mbrojtësin Kyle Walker.

Tek Irani shpresojnë që Sardar Azmoun do të jetë gati për ndeshjen hapëse. Sulmuesi i Bayer Leverkusenit nuk ka luajtur që kur pësoi lëndim në fillim të tetorit.

Anglia është kualifikuar për Kupën e Botës për herë të 16-të. Është paraqitja e shtatë rresht. Harry Kane ishte realizatori më i mirë në Kupën e kaluar të Botës. Pesë prej gjashtë golave të tij u shënuan në fazën grupore.

Irani asnjëherë nuk ka kaluar fazën grupore. Ka fituar vetëm dy prej 15 ndeshjeve, ndaj SHBA-së në vitin 1998 dhe ndaj Marokut në vitin 2018. Iranianët kanë shënuar nëntë gola në 15 paraqitje në Botëror.

Reagimet për protestat në Iran kanë përcjellë përgatitjet e përfaqësueses së këtij vendi për Botëror.