Barcelona fiton Kupën e Mbretit

Barcelona fiton trofeun e parë të epokës së dytë të presidentit Joan Laporta, të parin edhe nën drejtimin e trajnerit holandez, Koeman, i përzgjedhur si njeriu i duhur për marrë frenat e skuadrës në këtë periudhë tranzitore. “Blaugranat” shkatërruan 4-0 Athletic Bilbaon në finalen e Kupës së Mbretit, duke marrë hak edhe për atë eliminim dramatik nga skuadra baske në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës.

Pas një pjese të parë të ekuilibruar, gjatë se cilës Bilbao nuk i la hapësira kundërshtarit, loja mori drejtim të pakthyeshëm në fraksionin e dytë, teksa në një hark kohor prej vetëm 12 minutash, “blaugranat” realizuan katër herë. Të parin e realizoi Griezmann, i shërbyer nga de Jong, më pas ishte radha e holandezit, që shtyu me kokë drejt rrjetës topin krosuar nga Jordi Alba. Nuk mund t’i mungonte listës së golashënuesve Lionel Messi, që realizoi dy herë rresht, i shërbyer nga de Jong dhe Alba, ndërsa një tjetër gol i Griezmannit, në fund të sfidës, u anulua për pozicion jashtë loje.

Domethënës entuziazmi dhe gëzimi në fytyrën e Lionel Messit, aq shumë i përfolur për një largim nga Barcelona në fundit të sezonit. Për “Pleshtin” ishte trofeu i 35-të me Barcelonën, por mund të mos jetë i fundit, qoftë për faktin se mund të fitojë La Ligan, qoftë për vazhdimësinë në klubin katalan. Me Laportën president me me kthimin te trofetë Lionel Messi do të gjejë motivet e duhura për ta vijuar karrierën te Barcelona.