Bilanci COVID-19: Mbi 2 mijë raste aktive, 661 të vdekur, më shumë se 15 mijë të shëruar

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, të shtunën në raportimin 24 orësh rreth gjendjes me Covid-19, ka njoftuar se janë shënuar 166 raste të reja me koronavirus.

Dy të vdekur, 55 të shëruar dhe 166 raste të reja me koronavirus, është bilanci i fundit i publikuar nga IKSHPK. 

Në njoftimin e Institutit është bërë e ditur se për 24 orë janë testuar 1 mijë e 56 mostra. 

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.056 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 166 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar dy raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv (1 rast Klinikë Infektive dhe 1 rast Spitali Pejë)”, ka njoftuar IKSPHPK.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dje njoftoi për edhe 55 pacientë të shëruar, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15 mijë e 34 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2 mijë e 62. 

Numri total i të infektuarve ka arritur në 17 mijë e 757 që nga 13 marsi kur u konfirmuan rastet e para, ndërsa janë testuar 86 mijë e 98 mostra.

Dje në vendin tonë janë regjistruar edhe dy raste të vdekjes nga koronavirusi, duke e çuar kështu në 661 numrin e viktimave.

Komuna më e prekur nga ky virus është Prishtina, me gjithsej 5 mijë e 692 raste, 82 prej tyre kanë humbur betejën me koronavirusin.