Dalic: Anglia e frikshme, por i përgëzoj lojtarët e mi për lojën

Trajneri i Kroacisë, Zlatko Dalic, gjatë analizës së tij pas humbjes me Anglinë theksoi se skuadra e tij u ndëshkua nga një gabim në mbrojtje, që përcaktoi edhe fituesin e ndeshjes.

“E përgëzoj Anglinë për fitoren, por edhe lojtarët tanë. Ishte një ndeshje komplekse dhe e nxehtë. Ne e prisnim këtë ndeshje, duhej ta përballonim më mirë presionin veçanërisht në 20 minutat e para të lojës. Kemi folur për 7 ditë për rëndësinë e moskapjes jashtë pozicioneve, ata shfrytëzuan gabimin tonë dhe gjetën golin.”

Dalic, që në të kaluarën ka qenë trajner i Dinamos në Kategorinë Superiore, e pranoi që Anglia është ekip i frikshëm.

“Në sulm nuk treguam shumë cilësi, por ne po luanim kundër Anglisë, një ekip i frikshëm. Ishim në të njëjtin nivel me ta në shumicën e kohës. Kjo është inkurajuese për mua, do të bëjmë më mirë në ndeshjet e ardhshme”.