Escobar takohet sot me Osmanin, Kurtin dhe Konjufcën

I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po vazhdon ditën e dytë të vizitës në Kosovë.

Fillimisht Escobar do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani. Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit. Kurse, nga ora 10:00, ata do të deklarohen për media.

Në orën 10:20 atë e pret kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.

Ndërsa në orën 11:00, Escobar do të takohet me kryeministrin, Albin Kurti.

Escobar të enjten mbrëma ka takuar edhe përfaqësuesit e partive opozitare në vend.

Në këtë takim kanë marr pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini. Pas takimit ata nuk janë deklaruar për media. Vetëm AAK-ja në një njoftim për mëdia pas takimit ka ripërsëritur se Propozimi evropian e ka mbështetjen e saj të plotë.

Escobar të mërkurën e kësaj jave qëndroi për vizitë në Serbi ku u takua me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesit e opozitës pro-evropiane.

Takimet e të dërguarit të SHBA-së vijnë dy ditë para takimit të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë. Kurti e Vuçiq do të takohen të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Para Escobarit, të dyja vendet i vizitoi edhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, të enjten ka thekuar se janë të fokusuar në zbatimin e Planit evropian, pasi siç thotë ai, palët janë dakorduar për marrëveshjen.v