Gjashtë pacientët e shëruar lirohen sot, dy prej të infektuarve në gjendje të rëndë

43 pacientë të infektuar me koronavirus, janë duke u trajtuar aktualisht në Klinikën Infektive, të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Për gjendjen e tyre ka dhënë detaje infektologu, Salih Ahmeti.

Në një prononcim për Gazetën Express, Ahmeti ka thënë se gjendja e gjashtë prej të infektuarve është e rëndë, sidomos dy prej tyre.

Sipas Ahmetit, sot do të lirohen nga klinika gjashtë pacientë, të cilët në analizat që u janë bërë për herë të dytë, kanë rezultuar negativë.

“43 i kemi të shtirë në infektivë. Gjashtë prej tyre janë në gjendje të rëndë. Katër prej tyre kanë gjendje stabileme shenja përmirësimi, derisa dy janë në gjendje të rëndë. Sot do të lëshohen gjashtë persona, të cilët edhe në analizat e dyta kanë rezultuar negativë. Katër prej tyre kanë qenë duke u trajtuar këtu në klinikë, derisa dy të tjerë të cilët kanë qenë mjekë, të cilët janë trajtuar në mënyrë ambullantore”, ka thënë Ahmeti.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pas mesnate ka konfirmuar edhe tri raste të reja me koronavirus. Rastet janë raste kontakti nga Mitrovica e Veriut. Numri në total i të infektuarve ka shkuar në 135 me një të vdekur.