Grabitet një bankë te Rruga “B”, dëmtohet bankomati me eksploziv

Një bankë e cila ndodhet te Rruga “B” në Prishtinë është grabitur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e policisë Flora Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se dyshimet e para janë që grabitja është realizuar duke dëmtuar një bankomat të një banke, me një mjet shpërthyes.

“Sot rreth orës 05:30, kemi pranuar informatën për një shpërthim në rrugën “B” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore.

Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor, dyshohet se një grabitje është realizuar duke dëmtuar një bankomat të një banke, me një mjet shpërthyes (eksploziv), nga disa persona të dyshuar të cilët në ikje e sipër kanë shtënë me armë zjarri  në drejtim të një personi (roje). Nuk raportohet për persona të lënduar”, ka thënë Ahmeti.

Ajo ka shtuar se ekzaminimi po vazhdon në vendngjarje, hetuesit policor janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.