Horrori në Rahovec: E dogji vëllanë në oborrin e shtëpisë, pastaj gënjeu policinë se po djeg bërllok

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Bërnjak të komunës së Rahovecit. Aty vëllai dyshohet se ka vrarë e pastaj e ka djegur, në oborr të shtëpisë, trupin e pajetë të vëllait të tij. Mizoria e gjithë këtij rasti ka qenë se i dyshuari për vrasjen e ka fshehur atë dhe duke gënjyer policinë kur kjo e fundit kishte shkuar në shtëpi kur e kishte parë se po digjej një zjarr i madh.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë muajit shkurt, por vetëm pas dy muajve, personi në fjalë ka pranuar se ka vrarë e më pas e ka djegur trupin e vëllait 64 vjeç. Express ju sjell detaje rrëqethëse të vrasjes makabre që tronditi sot Kosovën.

Kishte ardhur nga Zvicra gjatë muajit shkurt në Kosovë. Por 64-vjeçari nuk mundi ta shijojë qëndrimin në vendlindje, në fshatin Bërnjak të Rahovecit.

Ky person po dyshohet se kishte pasur një zënkë verbale e më pas edhe fizike me vëllanë e tij 59-vjeçar.

Shkak i kësaj përleshjeje, sipas deklaratave të gruas të së ndjerit, po dyshohet të jetë një shumë e parave që tashmë i ndjeri e kishte sjellë nga Zvicra në Kosovë.

35 mijë franga e 8 mijë euro të tjera që i ndjeri i kishte pasur me vete.

Kështu ka deklaruar në polici gruaja e të ndjerit, e cila kishte thënë se për disa ditë nuk kishte dëgjuar asgjë nga bashkëshorti dhe nga Zvicra kishte marrë rrugë drejt Kosovës.

Ajo e shpalli të zhdukur bashkëshortin e saj, me të cilin nuk po arrinte të kishte kontakt.

Por personi i zhdukur tashmë u lokalizua, por si i vdekur.

Ngjarjen e rëndë e ka zbuluar Policia e Kosovës, e cila përmes analizave të ADN-së arriti të gjejë pjesë të djegura kockore të cilat nga forenzika janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Këto kocka janë gjetur në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit.

Por, pasi e kishte vrarë me armë zjarri vëllanë, 59-vjeçari ishte kujdesur që t’i zhdukte gjurmët e krimit.

Ai kishte ndezur një zjarr të madh, i cili i kishte rënë në sy edhe policisë, të cilët kishin shkuar në vendin e ngjarjes.

Por, i dyshuari e kishte kamufluar krejt ngjarjen, duke djegur edhe mbeturina, e kështu e mashtroi edhe policinë, duke deklaruar se po e pastron oborrin dhe po i djeg mbeturinat.

Drejtori i Policisë së Gjakovës, Lumni Graishta, ka thënë për Gazetën Express se viktima ka qenë i moshës 64-vjeçare e i dyshuari 59 vjeç.

“Dyshohet se vrasja është kryer për motive me qëllim përfitimin. Viktima ka pasur me vete një shumë të parave, dyshohet se i dyshuari ka qenë në dijeni për ato të holla dhe ky është motivi. Gjatë bastisjes, policia ka gjetur rreth 35 mijë franga dhe 8 mijë euro, që dyshohet se janë të viktimës. Trupi i pajetë pas vrasjes dyshohet se është djegur në oborrin e shtëpisë se të dyshuarit”, ka deklaruar Graishta.

Graishta ka treguar se të dyja familjet jetojnë jashtë vendit, ndërkaq në momentin kritik në Kosovë kishin qenë vetëm viktima dhe i dyshuari.

Ndërkaq, Graishta ka treguar se i dyshuari e ka pranuar fajin të enjten, kur është ballafaquar me provat.

“Sot gjatë intervistimit e ka pranuar fajin pasi është ballafaquar me provat, sepse është gjetur edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra”, ka theksuar Graishta.

Ndërkaq, edhe Prokuroria e Gjakovës ka dhënë detaje për këtë krim.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se gjatë ditës së sotme është arrestuar dhe më pas është ndaluar personi me inicialet G.K. nga fshati Bërnjak i Rahovecit, i cili sipas hetimeve të para dyshohet për veprën penale “Vrasja e rëndë” të vëllait të tij, personit me inicialet B.K., i cili pasi që kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë, fillimisht ishte paraqitur i zhdukur nga familjarët e tij, që nga data 14.02.2020, raporton Express.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Prokuroria bën me dije se pas veprimeve hetimore nga ana e Prokurorisë dhe Policisë, dyshohet se personi G.K. e ka vrarë dhe më pastaj e ka djegur trupin e të ndjerit B.K., me ç’rast në vendin e ngjarjes janë evidentuar disa kocka njeriu.

“Po ashtu, pas një pune operative është gjetur edhe arma me të cilën dyshohet të jetë kryer vepra penale, si dhe një gëzhojë e cila pas ekzaminimit të forenzikës është vërtetuar së është shkrepur nga arma e të dyshuarit”, thuhet në komunikatë.

Me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, me dyshimin e veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe ndaj tij, brenda afatit ligjor do të kërkohet masa e paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë. /GazetaExpress/