Kosova dërgon në Gjermani 30 mostra për testim për variantin e ri të COVID-19

30 mostra pozitive për COVID-19 janë nisur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë për në Gjermani, për analiza më të detajuara për variantin e ri të koronavirusit.

Këtë për KlanKosova.tv e ka konfirmuar Xhevat Jakupi, drejtor i Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK.

“Në kuadër të punës tonë i kemi nisur dje 30 mostra për në Gjermani, për të parë se mos në mesin e tyre ka ndonjë rast me variantin e ri britanik të COVID-19”.

“Të gjitha rastet kanë rezultuar pozitive për COVID-19 dhe nuk kanë asnjë ndonjë simptomë ndryshe apo diçka tjetër – janë përzgjedhur mostra nga rajone të ndryshme të vendit dhe janë përcjell për testim në Universitetin “Charite” në Berlin, i cili është një nga laboratorët referent të OBSH-së”, tha Jakupi.

Jakupi mes tjerash tregoi se personat që mund të jenë të infektuar me variantin e ri të COVID-19 nuk mund të testohen në Kosovë meqë reagenca që ka varianti i ri nuk mund të testohet tek ne për atë janë dërguar në Gjermani që të dihet pastaj se çfarë reagence kanë.

Kujtojmë se varianti i ri i COVID-19 është konfirmuar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar dhe është përhapur në shumicën e vendeve të botës.

Ekspertët shëndetësor kanë paralajmëruar se varianti i ri i COVID-19 përhapet shumë më shpejt sesa koronavirusi , teksa ende nuk është konfirmuar se ka vdekshmëri më të lartë.