LDK e gatshme për zgjedhje, ato janë gjithmonë opsion në demokraci

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se zgjedhjet janë gjithmonë opsion në demokraci dhe se edhe partia të cilët ai i takon është e gatshme për këtë proces, njofton Klan Kosova.

Këto komente ai i bëri pas takimit të sotëm të strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës kur u pyet për mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje shkaku i çështjes së Presidentit.

Gashi ka komentuar edhe rezultatin e votimeve të djeshme në Komunën e Podujevës ku fitoi kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi kundrejt atij të LDK-së, Nexhmi Rudari.

“Rezultati i Podujevës është rezultat jo i kënaqshëm për ne dhe normalisht do të merremi me analiza për të parë se ku janë problemet dhe për t`i evituar ato në zgjedhjet e ardhshme lokale që do të jenë pas 10 muajsh. Në proces diku ka ndodh një shkëputje me elektoratin”, shtoi ai.

Mes tjerash, shefi i grupit parlamentar të LDK- së bëri me dije se në takimin e sotëm është folur edhe për çështjen e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe gjetjen e një zgjidhjeje për këtë projektligj.