LDK: Shkarkimi i Valdete Dakës është i papranueshëm – rrezikon edhe pavarësinë e mbarëvajtjen e Zgjedhjeve Lokale

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar për shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e Kryetares së KQZ-së, nga presidentja e vendit Vjosa Osmani.

Përmes një komunikate, LDK thotë se me shqetësim të madh e ka pritur vendimin e sotëm të Presidentes së Kosovës për ndërprerjen arbitrare të mandatit të Kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e cila, sipas vlerësimeve të përgjithshme, këtë detyrë e ka ushtruar në mënyrë të pavarur dhe profesionale.

Lidhja Demokratike e Kosovës, vendimin për ndrërpreje të mandatit të kryesueses së KQZ-së, në prag të zgjedhjeve lokale, e konsideron si të pabazuar dhe me argumente të paqëndrueshme.

“Puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Prandaj, vendimin e sotëm e shohim si goditje të rëndë ndaj një institucioni të pavarur kushtetues me performancë të mirë”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, vendimi, për më tepër, rrezikon edhe pavarësinë e mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, në prag të të cilave është Kosova.

“KQZ-ja, në këtë periudhë përgatitore ka pasur nevojë për stabilitet institucional. Ky stabilitet është cenuar”, thuhet tutje.

“Prandaj, si i tillë, vendimi i sotëm, për Lidhjen Demokratike të Kosovës, është i papranueshëm dhe një goditje për lirinë dhe demokracinë në vendin tonë”, thuhet në fund.