Në Kore të Jugut po luhet ndeshja e parë, në Ishujt Faroe stinori fillon nesër

Jeonbuk Motors dhe Suwon Bluewings po përballen në ndeshjen e parë të edicionit 2020 të kampionatit të Koresë së Jugut në futboll.

K-League është dashur të filloj në shkurt, por ka filluar vetëm me ndeshjen e së premtes, që është ende duke u zhvilluar.

Kthimi i futbollit në Kore të Jugut është bërë lajm për mediat e mëdha ndërkombëtare, ndërsa BBC po përcjell të gjitha ngjarjet që kanë të bëjnë me këtë ndeshje.

Sipas BBC, Liga e Koresë së Jugut është më e madhja që rifillon pas koronavirusit. Bundesliga do të vazhdojë më 16 maj.

Në Kore të Jugut të gjithë 1142 lojtarët, trajnerët dhe pjesëtarët e stafit janë testuar për Covid – 19. Të gjitha testet kanë dalë negativ. Lojtarët do të shfrytëzojnë shishe personale të ujit gjatë ndeshjeve. Emri i lojtarëve është shkruar në shishe.

Në banka pjesëtarët e stafit dhe lojtarët rezervistë do të mbajnë maska. Lojtarëve u është matur temperatura para fillimit të ndeshjes, raporton Koha.net.

Ndërkohë në Ishujt Faroe, kampionati vazhdon të shtunën. Zyrtarët kanë thënë se interesimi për ndeshjet e kampionatit të Ishujve Faroe është dukshëm më i madh se zakonisht.