Nis takimi mes Osmanit dhe Escobarit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur të premten të dërguarin Special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Pas këtij takimi, Osmani e Escobar do të mbajnë një konferencë për media.

Ndërsa në orën 10:20, zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar, do të pritet në zyrë nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Qëndrimin e tij në Prishtinë, Escobar do ta finalizojë me kryeministrin Albin Kurti.

Kryeministri Kurti, do ta presë emisarin amerikan në zyrë të tij në ora 11:00.

Në komunikatën e Kryeministrisë, nuk përmendet se Kurti dhe Escobar do të deklarohen për media.

Ndërkaq, mbrëmjen e së enjtes, emisari i ShBA-ve, Gabriel Escobar, zhvilloi një darkë me opozitën, nisur nga fakti se dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, kanë shprehur rezerva lidhur me propozimin evropian.

Në këtë darkë, që u mbajt në rezidencën e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, prezentë ishin Memli Krasniqi nga PDK, Lumir Abdixhiku nga LDK, dhe Ardian Gjini nga AAK, i cili e zëvendësoi liderin Haradinaj pasi ky i fundit gjendet jashtë shtetit.

Escobar dy ditët e fundit qëndroi në Serbi, ku paraditen e së enjtes në konferencë për media foli edhe për takimin e 18 marsit në Ohër, teksa tha se nuk pret marrëveshje, por që ajo përfundimtare pret të ndodhë brenda vitit.

I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor tha se marrëveshja që tashmë ndodhet në tavolinë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara.

Ndërsa, fakt si fakt të kryer e cilësoi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se asociacioni do të bëhet, por çështja është se sa shpejt do të ndodhë kjo dhe cili model do të aplikohet.