Nitaj kërkon nga KEDS që të mos ketë ndërprerje të rrymës gjatë ditës së votimit

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj, ka takuar sot menaxhmentin e KEDS-it, ku u njoftua për gjendjen me furnizim të energjisë elektrike në Kosovë, njoftojnë nga MEA.

Bëhet e ditur se gjatë takimit ai kërkoi nga menxhmenti i KEDS-it që të ketë furnizim të mirë me energji elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës gjatë këtyre ditëve, kur temperaturat kanë rënë nën zero.

Po ashtu porosi e veçantë e Nitajt ishte që të mos ketë ndërprerje të energjisë elektrike në asnjë qendër të votimit gjatë 14 shkurtit, kur në Kosovë mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Ndërkaq, menaxhmenti i KEDS-it e njoftoi ministrin Nitaj se situata më problematike mund të paraqitet në Komunën e Malishevës, si pasojë e problemeve të trashëguara më parë, për çka ministri kërkoi që paraprakisht të sigurohen mundësitë alternative të furnizimit me energji elektrike gjatë ditës së votimeve në të gjitha qendrat e votimit në këtë komunë.

KEDS u zotua që do të bëjë çdo gjë që është e mundur që furnizimi me energji elektrike të mos mungojë gjatë ditës së votimit, ndërsa njoftuan që ekipet do të dalin në terren për të kontrolluar gjendjen e stabiliteteve teknike në objektet, të cilat do të jenë si qendra votimi.