Pas paralajmërimeve për mungesë të barnave, Ismaili: Qeveria t’u ofrojë zgjidhje, e jo arsyetime qytetarëve

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ish-ministri i shëndetësisë, Uran Ismaili ka reaguar pas paralajmërimeve për mungesë të barnave.

Ismaili në një postim në ‘Facebook’ ka thënë së ky është një lajmë i keq për shëndetin dhe ekonominë familjare të qytetarëve, përcjell Demokracia.com

‘’Paralajmërimi i sotëm i Ministrisë së Shëndetësisë se Kosova do të përballet me mungesë të barnave në institucionet publike shëndetësore është lajm shumë i keq për shëndetin dhe ekonominë familjare të qytetarëve. Në mungesë të barnave, qytetarët do të duhet të blejnë barnat nga buxheti i tyre familjar, që edhe ashtu është i tejet i rënduar nga pandemia’’, tha Ismaili.

Ai përmendi se gjatë kohës sa ishte ministër, arriti të rriste buxhetin për banrna në mbi 40 milion euro, ndërsa tani ky buxhet në vend se të rritje ka rënë në 21 milion euro.

‘’Duke parë shpenzimet e larta të qytetarëve, gjatë udhëheqjes së Ministrisë së Shëndetësisë, kemi rritur vazhdimisht buxhetin për blerjen e barnave. Në vitin 2017 e gjeta këtë buxhet me 25 milionë Euro. Pas shumë konsultimeve, arritëm që në vitin 2019 të rrisim buxhetin për barna në mbi 40 milionë Euro. Ndërsa sot, në kushte pandemie, në kohën kur ky buxhet do të duhej të vazhdonte të rritej, ai ka rënë në rreth 21 milionë Euro’’, u shpreh Ismaili.

Ish-ministri i shëndetësisë tha se kjo ulje e buxhetit minon përpjekjet që ishin bërë për furnizim stabil me barna dhe se qeveria duhet t’iu ofrojë zgjidhje qytetarëve dhe jo arysetime.

‘’Ulja drastike e buxhetit për barna për vitin 2021 minon përpjekjet që i kishim bërë për furnizim stabil të institucioneve publike shëndetësore me barna. Më vjen shumë keq që projektimet buxhetore që kishin filluar në 2018 dhe që dhanë rezultat u ndërprenë në krizën më të madhe shëndetësore. Praktikat e mira menaxheriale në shëndetësi duhet të vazhdohen përtej mandateve qeveritare. Sot pres nga qeveria që qytetarëve tanë t’u ofrojë zgjidhje, e jo arsyetime’’, përfundoi Ismaili.