Për zgjedhjet e 14 shkurtit, në garë tre kandidatë për kryeministër, 1079 për deputetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka mbyllur afatin e aplikimit të subjekteve politike dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetët që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 shkurt 2021.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se gjatë kohës së rezervuar janë dorëzuar për aplikim dhe certifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsejt: 28 subjekte politike, prej tyre: 21 parti politike; 2 koalicione; dhe 5 iniciativa qytetare.

Elezi njoftoi se numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1 079 kandidatë.

“Gjatë afatit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 8 janar – 16 janar, kanë dorëzuar aplikimin për çertifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsejt: 28 subjekte politike, prej tyre: 21 parti politike; 2 koalicione; dhe 5 iniciativa qytetare. Nuk është paraqitur asnjë kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1 079 kandidatë”, tha Elezi.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen më 14 shkurt.

Këtë listë e dorëzoi, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi i cili tha se sado që kjo garë do të jetë e ashpër, beson se LDK-ja do të jetë fituese.

“Besoj se është lista më e mirë në këtë garë zgjedhore. Listë e cila udhëhiqet nga kryeministri aktual dhe kryeministri i ardhshëm, Avdullah Hoti. Megjithëse do të jetë një garë e ashpër, LDK-ja do të dal fituese në këtë garë. Kemi një proces të verifikimit nga KQZ-ja, prandaj do ta presim edhe atë pastaj do të prezantojmë kandidatët”, tha Abrashi.

Për disa nga partitë politike tashmë janë bërë të ditura edhe listat e kandidatëve.

Lëvizja Vetëvendosje përmes Facebook-ut, ka publikuar listën e plotë të kandidatëve për deputetë të përbërë nga 110 emra.

Pjesë e kësaj liste është konfirmuar se janë edhe Vasfije Krasniqi, dhe babai i Arbnor e Astrit Deharit. Avni Dehari.

Ndryshe nga herët e tjera, nga LVV-ja, Besnik Bislimi i cili e dorëzoi këtë listë, tha se në këto zgjedhje nga partia e tyre do të garojnë 41 gra për deputete.

“Besoj fuqishëm se kemi arritur të përgatisim një listë, e cila e reflekton apo i përgjigjet kaq fuqishëm kësaj përkrahje nga qytetarët tanë. Ajo që është shumë më e rëndësishme është fakti që deri më sot nuk ka pas një listë të kandidatëve që ka më shumë gra. Në listën tonë janë 41 gra, secila më e mirë se tjetra. Në dhjetëshen e parë janë pesë gra e pesë burra”, tha Bislimi.

Edhe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar listën e emrave të kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kësaj liste i prinë, i pari i partisë Ramush Haradinaj.

Telegrafi ka siguruar nga burime të vetat listën me 60 emrat e parë të renditur në këtë listë.

Kurse dhjetëshja e parë e AAK-së përbëhet nga Ramush Haradinaj, Shemsedin Dreshaj, Time Kadriaj, Bekë Berisha, Besnik Tahiri, Albena Reshitaj, Pal Lekaj, Rasim Selmanaj, Teuta Haxhiu, Haxhi Shala.

“Ne si Nisma sot e dorëzuan edhe aplikimin për zgjedhjet e vitit 2021 me kandidatë – e cila do të publikohet nesër pas miratimit nga ana e KQZ-së”.

“Besojmë se lista do të jetë ajo që i premton një të ardhme më të mirë Republikës së Kosovës dhe garanton ruajtjen e asaj që është duke u cenuar”.

“Listës i prinë Fatmir Limaj dhe pastaj kandidatët tjerë për deputetë – njëkohësisht edhe qytetarë tjerë dhe veteranë e ushtarë të UÇK-së që janë bashkuar me qëllimin që ta ruajnë atë që është duke u rrezikuar”.

“Ne kemi biseduar me zyrtarë të PDK-së, gatishmëria ka qenë për një koalicion me PDK-në por përgjigja dhe gatishmëria e PDK-së nuk ka qenë e njëjtë”.

“Nisma është subjekt politik, ajo asnjëherë nuk do të shkrihet dhe nëse dikush tenton që me veprime të ulëta ta minojë dhe ta pengojë”.

“Ne besojmë se do të jemi befasi e këtyre zgjedhjeve”.

Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës kanë aplikuar në KQZ për zgjedhjet e 14 shkurtit, si dhe kanë dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë.