Presidenti Thaçi pas vdekjes së 82-vjeçarit: Të jemi të gatshëm për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Presidenti, Hashim Thaçi, ka thënë se institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, pas vdekjes së parë nga koronavirusi në Kosovë.

Presidenti ka falënderuar mjekët dhe ka kërkuar nga qytetarët të rrinë në shtëpi si masë për ta parandaluar virusin COVID-19.

“Ngushëllimet më të sinqerta për familjen nga Dumnica e Podujevës, anëtari i së cilës është viktima e parë e virusit COVID-19 në Kosovë. Institucionet shëndetësore i falënderoj për përkushtimin, vendosmërinë dhe profesionalizmin që po tregojnë në këto rrethana të rënda. Ne duhet t’i ndihmojmë mjekët, duke qëndruar të mbyllur në shtëpitë tona dhe duke i zvogëluar mundësitë e përhapjes më të madhe të këtij virusi. Institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme, që në rast nevoje të shpallet menjëherë Gjendja e Jashtëzakonshme. Duke punuar së bashku do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë!”, ka shkruar Presidenti Thaçi në profilin e tij, në rrjetin social Facebook.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit si dhe ka shpallur gjendje emergjence e shëndetit publik.