Qeveria shkëput marrëveshjen me kompaninë e të sanksionuarve nga SHBA-ja

Ministria e Infrastrukturës e ka shkëputur kontratën me kompaninë e Radule Steviqit, i cili është futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth krimit të organizuar, si pjesë e grupit të Zvonko Veselinoviqit, për mirëmbajtjen e rrugëve në Mitrovicën e Veriut.

Këtë e ka njoftuar përmes një postimi në Facebook zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi. Durmishi tregoi se mirëmbajtja e rrugëve në veri do të vazhdojë, por jo më nga kompania që u hoq nga kontrata.

“Nga sot kompania RAD. D.O.O, e cila është futur në listën e zezë të thesarit të SHBA-së, nuk do të jetë pjesë e konsorciumit në kontratën: “Mirëmbajtja verore dhe dimërore 2021/2022 e rrugëve nacionale dhe rajonale”. Sot është nënshkruar amandamentimi i kontratës ku pjesë e konsorciumit mbeten kompanitë “B Corp” dhe “Europa Parters”, të cilat së bashku i plotësojnë kriteret e dhënies. Edhe do ta bëjmë mirëmbajtjen e rrugëve në veri edhe kompaninë në fjalë e kemi hequr nga kontrata”, ka shkruar Durmishi në Facebook.