Rama: Më mungon vëllai im Hashim Thaçi

Në aeroportin “Zayed – Flatrat e Veriut” në Kukës u ul aeroplani i parë me pasagjerë nga Londra.

Pas zbritjes së suksesshme në pistë, Kryeministri Edi Rama e konsideroi një moment historik hapjen e aeroportit të Kukësit dhe premtim të mbajtur.

Por, Kryeministri foli edhe për ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, të cilin e konsideroi “vëlla” dhe u shpreh se do të donte që sot të ishte bashkë me të.

Kujtojmë se Hashim Thaçi ndodhet në Hagë ku po gjykohet për krime lufte.

“Dua të ndaj me ju që më mungon shumë sot dikush që unë e konsideroj një prej shqiptarëve më të mëdhenj. Dhe jam i bindur që historia të tillë do ta konsiderojë. Më mungon shumë dikush që është një prej shqiptarëve më të mëdhenj jo se është vëllai im, por është vëllai im sepse është një prej shqiptarëve të mëdhenj, Hashim Thaçi. Prej këtu nuk e di a më ndjek por do dëshiroja t’i çoja një përqafim dhe t’i thoja se në muret e këtij aeroporti gjendet edhe një moment i historisë së shqiptarëve, kur Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rrugova i hapën rrugë procesit të çlirimit përfundimtar të Kosovës”, tha Kryeministri Edi Rama.