Rëndohet situata me COVID-19, më shumë se gjysma e pacientëve në Infektivë me oksigjeno terapi

Rastet me koronavirus janë rritur ndjeshëm në Kosovë.

Pas një rënie graduale në fillim të muajit tetor, së fundi rastet janë dyfishuar.

Kësisoj edhe Klinika Infektive ka filluar të stërmbushet si shkak i shtimit të rasteve.

Aty tani po trajtohen 80 pacientë, dy nga ta në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas infektologut të Infektives, Murat Mehmeti, më shumë se gjysma e pacientëve të shtrirë në këtë Klinikë janë me oksigjeno-terapi.

“Realisht edhe ju jeni dëshmitar të rritjes së numrit të rasteve të reja në Klinikë këto ditë e fundit dhe momentalisht i kemi rreth 80 pacientë të shtrirë në Infektivë prej të cilëve më shumë se gjysma janë me oksigjeno-terapi prej rasteve më të rënda i kemi dy raste sikurse ka edhe raste të rënda të cilët janë me oksigjeno-terapi, por që janë me formë më të rëndë të sëmundjes”,  tha ai për Front Online.

Ai nuk e përjashtojë mundësinë e rritjes së numrit të rasteve të të infektuarve me Coronavirus edhe në ditët në vazhdim, pasi që siç tha ai ka numër më të madh të pacientëve të cilët po hospitalizohen në infektivë.

“Është shumë e vërtet se kemi përkeqësim të situatës së përgjithshme për vetë faktin se kemi rritje të numrit të rasteve, kemi rritje të numrit të pacientëve që vinë në ambulanten tonë për konsulta, krahasuar me ditë e tjera kemi pra një numër shumë më të madh të rasteve të cilët vinë për konsultime në Klinikë dhe me rritjen e numrit të rasteve të cilat kanë nevojë për hospitalizim përkatësisht për shtrim në Klinikë”, tha ai për Front Online. 

Cilat mosha po i prek Coronavirusi? Flet mjeku kosovar

Mehmeti për Front Online tha se moshat të cilët janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive janë kryesisht moshat e shtyra të cilët përveç Coronavirusit kanë edhe sëmundje tjera kronike.

“Po në përgjithësi kuptohet se moshat të cilët janë të shtrirë janë të shtyra pa i përjashtuar edhe raste të cilat janë edhe moshave më të reja, por kuptohet se janë rastet më të shtyra dhe kanë pasur edhe sëmundje tjera korintike, sëmundje të zemrës mushkërive, apo diabet etj”, deklaroi infektologu Murati.

A ka raste të rikthimit të Covidit tek i njëjti person? Tregon infektologu kosovar

I pyetur se a ka pasur raste në Klinikën Infektive kur një pacienti i është rikthyer virusi për herë të dytë, infektologu Mehmeti tha se në Klinikën Infektive nuk kanë pasur raste të riinfektimit apo infektimit për herë të dytë me Covid-19.

“Realisht për aq sa unë kam informata, por normalisht edhe kolegjiumi jonë të cilët po ballafaqohemi me këtë problematikë, me këtë virus që nga muaji shkurt ne kemi pasur shumë raste të cilët janë hospitalizuar janë trajtuar, jo gjithmonë të gjithë janë hispotalizuar kuptohet një numër i tyre më  i madh e kanë kaluar sëmundjen pa telashe të mëdha mirëpo unë me sa e di deri me tani nuk ka ndodhur që të na kthehet një rast për herë të dytë e të ndodh riinfketimi apo që të ketë probleme në kuptimin e përsëritjes së sëmundjes pra deri me tani nuk ka ndodhur të kemi riinfektim për herë të dytë”, tha Merhmeti për Front Online. 

Covid-19, stërmbushet Klinika Infektive 

Shkencëtarët e ndryshëm janë deklaruar se bota mund të përballet me valën e dytë të Coronavirusit gjatë stinës së vjeshtës. Lidhur me këtë infektologu Mehmeti, tha se janë të përgatitur për një valë të dytë të virusit edhe pse kapacitetet që ka Klinika Infektive janë të stërmbushura.

“Klinika Infektive i ka ato kapacitet që i ka pasur prej fillimit d.m.th. kapacitetet e Klinikes Infektive janë deri në 100-105 shtretër që i kemi në dispozicion për trajtimin e pacientëve me këtë sëmundje, kështu që duke e pasur parasysh numrin qe e përmenda më herët që është rreth 80 nënkupton që kapacitetet tona janë gati të stërmbushura”, tha infektologu Mehmeti për Front Online.

Qytetarëve u bëhet thirrjet të vaksinohen kundër gripit sezonal

Ai foli edhe për gripin sezonal i cili pritet që të paraqitet në muajin dhjetor.

Infektologu Mehmeti tha se për të parandaluar një përkeqësim ndërmjet gripit sezonal dhe Coronavirusit mundësia më e mirë është që qytetarët përkatësisht moshat e shtyra të vaksinohen.

“Sa i përket virusit sezonal, ne në fakt ende nuk jemi duke u ballafaquar me virusin e gripit për faktin se virusi i gripit paraqitet apo ish dashur të paraqitë më vonë tek ka dhjetori tash ajo çka duhet të bëhet për gripin dhe që ende nuk është filluar që në fakt do të ishte dashur por ende nuk është furnizuar vendi ynë me vaksina kundër gripit tash çka do të ishte dashur të bëhet është vaksinimi me vaksinën kundër gripit në mënyrë që sa do pak të preventohet mundësia e paraqitjes se gripit diçka që është e mirë për faktin se një vaksinë kundër gripit ekziston dhe ajo duhet të shfrytëzohet dhe të vaksinohen të gjithë qytetarët e posaçërisht ata që janë të moshuar mbi 65 vjet  dhe ata që kanë sëmundje kronike”, tha ai.