Sevilla mposht Alavesin dhe merr vendin e katërt

Sevilla mposht me shumë fat 1-2 Alavesin dhe ngjitet në zonën Champions të La Ligas. Heroi i skuadrës andaluze, e cila shkonte në këtë transfertë pas humbjes me Atleticon e Madridit, ishte portieri Bono, që priti penalltinë e goditur nga Joselu në kohën shtesë.

Golat e këtij takimi u shënuan të gjithë në fraksionin e parë. En Nesyri zhbllokoi sfidën që në minutën e 3-të, pas pasimit të saktë të Navas, ndërsa në të 12-tën barazoi Mendez. Ish-i i Milanit, Suso, ktheu avantazhin në favor të Sevillas pa u mbushur gjysmë ore lojë, me rezultatin që mbeti i pandryshuar, edhe pse Alavesi pati mundësinë të paktën të barazonte shifrat, me penalltinë e humbur nga Joselu.

Dy takimet e tjera, Cadiz – Levante dhe Valladolid – Elche, përfunduan me të njëjtin rezultat 2-2.