Shënohet Dita e Kushtetutës me shkelje kushtetuese

Kosova të enjten shënon Ditën e Kushtetutës, një kushtetutë që mbahet mend se është shkelur shumë shpesh nga pothuajse të gjitha institucionet e larta shtetërore.

Kushtetuta e vjetër vetëm 12 vjet është shkelur disa herë nga Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca e Kosovës.

Profesori i Çështjeve Juridike Kushtetuese, Mazllum Baraliu, tha për Radion Evropa e Lirë se përmbajtja e Kushtetutës së Kosovës dhe mungesa e përvojës së Gjykatës Kushtetuese si dhe me pas ndikimi politik kanë shkaktuar kriza politike në vend.

“Gjykata Kushtetuese ka shkaktuar kriza politike dhe ato janë shkaktuar për arsye të ndryshme, por njëra prej komponentëve ndikues është ndikimi politik dhe interferimi i saj brenda veprimtarisë së gjykatës në një gamë apo në një gamë tjetër të veprimit”, tha Baraliu.

Gjykata Kushtetuese pati interpretuar si shkelje të rëndë të Kushtetutës rastin e ish-presidentit Fatmir Sejdiu me mbajtjen e dy posteve, të presidentit dhe të LDK-së.

Si anti-kushtetuese ishte interpretuar edhe zgjedhja e presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli në shkurt të vitit 2011. Të dy presidentët, pas veprimeve të tyre ishin detyruar të japin dorëheqje. Bazuar në vendimet e mëhershme kushtetuese pas shpalljes së pavarësisë, në vitin 2010 dhe 2017, pas votimit të mocionit, në të dyja rastet, kuvendi ishte shpërndarë dhe vendi kishte shkuar në zgjedhje.

Sipas kësaj gjykate, shkelja e fundit është bërë nga Qeveria Kurti e cila pati marrë vendim për të kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve. Ky vendim sipas Gjykatës Kushtetuese nuk ishte në përputhje me Kushtetutën, dhe të njëjtin e shpalli të pavlefshëm.

Arsyet se pse janë shkelur dispozitat e Kushtetutës së Kosovës, sipas Baraliut, kanë të bëjnë me mangësitë që ka Kushtetuta si dokument juridik.

“I pari dhe më i rëndësishmi është që kjo Kushtetutë është shkruar nga dora ndërkombëtare kryesisht ose është teledirigjuar nga ndërkombëtarët dhe ekspertë të ndryshëm të cilët nuk i kanë njohur as rrethanat dhe as specifikat e Kosovës sa duhet dhe si duhet, prandaj ka dispozita të cilat nuk janë sa duhet të qarta, ka dispozita që kanë dykuptimësi, ka dispozita që janë të mangëta të padefinuara sa duhet dhe si të tilla shkaktojnë probleme në interpretim dhe në të kuptuar”, thotë Baraliu.

Kushtetuta e Kosovës- akti më i lartë juridik i Republikës, e miratuar më 9 prill të vitit 2008, bazamentin e ka në Dokumentin e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.

Profesori dhe eksperti i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka, i cili ishte anëtar i Komisionit Kushtetues, thotë se është për keqardhje shkeljet e shumta që i janë bërë Kushtetutës përgjatë këtyre viteve.

“Gjykata Kushtetuese sa herë ka gjykuar çështjen me kundërshtim me Kushtetutën e në harmoni me qëndrimet politike të partive politike apo personave të caktuar në funksione shtetërore apo qeveritare ato janë shkelje flagrante. Gjykata Kushtetuese është e autorizuar për interpretim logjik, sistematik, gjuhësor të dispozitës kushtetutës e jo për të krijuar normë kushtetuare e në vendin tanë krijon norma kushtetuare e merr funksionin e kuvendit”, tha Smaka.

Smaka thotë se Kushtetuta ka vakume juridike që duhet të plotësohen.

Në Kosovë, sipas ekspertëve të çështjeve juridike tashmë janë hapur dyert për një krizë tjetër politike pasi që sipas tyre në Kushtetutën e Kosovës nuk parashihet një afat i caktuar se kur duhet të dorëzohet emri i mandatarit për kryeministër të ri nga Lëvizja Vetëvendosje.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 2 prill i ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje, që të propozojë një kandidat për formimin e qeverisë, por deri më tani VV nuk i është përgjigjur ftesës. /Rel/