Tolaj: Nëse rritet numri i të infektuarve me COVID-19, është pasojë e fushatës parazgjedhore

Infektologu Ilir Tolaj në një prononcim për Gazetën Sinjali ka folur rreth situatës epidemiologjike të krijuar nga pandemia COVID-19, por edhe për mundësinë e mbylljes totale të vendit nëse në ditët në vazhdim do të kemi rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus.

Tolaj ka thënë se nëse numri i rasteve të reja me COVID-19 do të rritet në ditët e ardhshme, atëherë kjo është pasojë e sjelljeve të papërgjegjshme të politikanëve gjatë fushatës parazgjedhore.

Sipas tij, fushata parazgjedhore ka qenë shembulli klasik i shkeljes masive të masave antiCOVID.

Fushata parazgjedhore ka qenë shembulli klasik i shkeljes masive të masave antiCOVID. Që situata të jetë edhe më e rëndë, ishin m’u politikanët që i bënë këto shkelje dhe e provokuan, madje edhe i bënë thirrje popullatës që të mos i respektojnë masat antiCOVID. Nëse numri i rasteve të reja do të rritet në vazhdimësi në ditët e ardhshme, atëherë kjo padyshim është pasojë e kësaj sjellje të papërgjegjshme gjatë fushatës parazgjedhore”, ka thënë Tolaj.

Infektologu ka shtuar se nëse nuk vjen një valë e re e COVID-19, atëherë kjo gjë e vërteton që “Kosova tashmë ka krijuar një nivel solid të imunitetit kolektiv, që po e mbron vendin dhe popullatën”

Përkundër faktit se dje kishim një numër  më të madh të rasteve, sot numri i rasteve të reja është sërish në nivelin e ditëve të mëhershme. Pra nuk kemi një trend të rritjes së vazhdueshme të rasteve të reja, nga dita në ditë. Në duhet ta përcjellim situatën edhe në javën që sapo e filluam, në mënyrë që të konstatojmë se a do të ketë rritje të numrit dhe eventualisht një vale të re, që do të jetë në lidhje direkte me mosrespektimin e masave në fushatën parazgjedhore, apo numri do të qëndrojë stabil, duke e vërtetuar faktin se në Kosovë tashmë është krijuar një nivel solid të imunitetit kolektiv, që po e mbron vendin dhe popullatën nga një valë e re”, ka thënë Tolaj.