UNICEF-i ndihmon Kosovën me mijëra pajisje mbrojtëse mjekësore

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) e ka ndihmuar Kosovën me pajisje profesionale mbrojtëse mjekësore.

Përmes një njoftimi të organizatës, bëhet e ditur se 3.6 ton furnizime janë dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë për të mbështetur punonjësit shëndetësor në vijën e parë të luftës kundër COVID-19 në Kosovë.

Ndihma përfshin, 36,200 doreza, 33,600 maska kirurgjike dhe mijëra paisje tjera mbrojtëse mjekësore.

“Ne e dimë se nevojitet ndihmë e menjëhershme. Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka qenë në gjendje të reagojë shpejt, duke dërguar furnizime me pajisje parandaluese që shpëtojnë jetë për punonjësit shëndetësorë të vijës së parë edhe në këtë kohë kur logjistika është jashtëzakonisht sfiduese”, ka thënë shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin.

Zyra e UNICEF-it në Kosovë po punon me donatorë dhe partnerë për të mbështetur dhe ndihmuar fëmijët dhe familjet e prekura nga pandemia.

Organizata vlerëson se gjersa numri i rasteve po vazhdon të rritet në të gjithë botën, puna e UNICEF-it për shpëtim jetërash dhe për t’u siguruar fëmijëve shëndet, arsim, ushqyerje dhe mbrojtje kurrë nuk ka qenë më vendimtare.