Vdes një 24 vjeçare e infektuar me koronavirus dhe kishte lindur foshnjën

Një 24 vjeçare lehonë e infektuar me COVID-19 ka vdekur sot në Mjekimin Intensiv të QKUK-së.  ore.

Për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore me frymëmarrjen, mjekët ishin detyruar ta operojnë.

Siç njofton drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili për ‘Kohën’, foshnja është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Ajo ka ardhur me COVID tek ne dhe në javën e 34-të është dashur ta operojmë për shkak se kishte probleme me frymëmarrjen”, ka thënë Ismaili.

Po ashtu, më 23 mars, një lehonë kishte vdekur si pasojë e coronavirusit, ndërkaq më herët është raportuar edhe për disa të tjera.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka njoftuar të enjten se janë regjistruar edhe 12 viktima nga coronavirusi.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Vushtrri 3 raste, Gjakovë 2, Podujevë 2, Lipjan 1, Prishtinë 1, Prizren 1, Skenderaj 1 dhe Suharekë 1 rast“, thuhet në njoftim.

Sipas raportit të IKSHPK-së, gjatë 24 orëve të fundit është bërë testimi i 5.502 mostrave dhe në bazë të rezultateve janë shënuar edhe 871 raste të reja me COVID-19.

Nga sëmundja janë shëruar edhe 642 pacientë ndërsa raste aktive aktualisht janë 14.120.

Prej 13 marsit të vitit të kaluar, kur janë raportuar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 96.212 të infektuar.

Prej tyre 1.960 kanë vdekur ndërsa 80.132 janë shëruar, njofton Telegrafi.