Zëdhënësi i PDK-së e quan Kurtin rekordmen për shkeljen e Kushtetutës

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Avni Bytyçi, e ka quajtur kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, rekordmen për shkeljen e Kushtetutës.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se sot në Ditën e Kushtetutës, Kurti do të duhej ta fillonte urimin e tij me një kërkimfalje për, siç ka thënë ai, shkeljen e saj të shumëfishtë që ka bërë.

Ndërkaq thotë se ndërsa predikimet e tij dogmatike për shtetin, kushtetutën dhe barazinë le t’i kursen për pasuesit e tij.

“Kurti është bërë rekordmen jo vetëm për jetën e shkurtër të qeverisë së tij, por edhe për shpeshtinë e shkeljeve kushtetuese. Në rrethanat e pandemisë COVID-19, ai shkeli Kushtetutën duke cenuar rëndë rendin demokratik të shtetit, duke tejkaluar me vetëdije kompetencat e qeverisë, për të cilën edhe e mori verdiktin e Gjykatës Kushtetuese. Mirëpo, Kurti aty nuk u ndal, ende pa kaluar shumë kohë pas këtij akt-gjykimi që e vërtetoi shkeljen e Kushtetutës, jo vetëm që nuk u pendua por ndërmori të tjera shkelje kushtetuese”, ka shkruar ai.

Sipas tij, disa javë pas propozimeve e presioneve të PDK-së, Qeveria në detyrë nxori një paketë të vonuar financiare për pandeminë, të cilën thotë se po përpiqet ta zbatojë në mënyrë anti-kushtetuese.

“Ministri ka vendosur në mënyrë të paligjshme për të ndryshuar destinacionin e 7% të buxhetit, duke anashkaluar sërish Kuvendin e Republikës së Kosovës. Qeveria e shkarkuar Kurti me këtë veprim në parim, ka bërë të njëjtën shkelje sikurse ajo për të cilën morën verdiktin nga Gjykata Kushtetuese. Pra, ka uzurpuar kompetencat e Kuvendit të Kosovës, sepse vetëm ky institucion ka të drejtë ta aprovojë plotësim-ndryshimin e buxhetit”, ka shkruar ai.

Bytyçi thotë se “për t’u siguruar që rekordi do të jetë i sigurt dhe me gjasë për një kohë i pathyeshëm, Kurti mori vendimin për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik të Telekomit”.

Ai thotë se me këtë akt, Qeveria e larguar, ka shkelur në mënyrë flagrante dispozitat ligjore dhe kushtetuese për garantimin e ekonomisë së lirë të tregut dhe trajtimin e barabartë të ndërmarrjeve publike dhe private.