Ballkani i Hapur Archives - Gazeta Stop https://www.gazetastop.com/tag/ballkani-i-hapur/ Ndalo për lajmin e parë! Fri, 19 Jan 2024 02:48:45 +0000 sq hourly 1 https://wordpress.org/?v=6.5.3 https://www.gazetastop.com/wp-content/uploads/2020/04/logo-150x150.png Ballkani i Hapur Archives - Gazeta Stop https://www.gazetastop.com/tag/ballkani-i-hapur/ 32 32 BE-në do ta lehtësonte shuarja e Ballkanit të Hapur, do të forcohej Procesi i Berlinit https://www.gazetastop.com/be-ne-do-ta-lehtesonte-shuarja-e-ballkanit-te-hapur-do-te-forcohej-procesi-i-berlinit/?utm_source=rss&utm_medium=rss&utm_campaign=be-ne-do-ta-lehtesonte-shuarja-e-ballkanit-te-hapur-do-te-forcohej-procesi-i-berlinit Sat, 08 Jul 2023 08:56:52 +0000 https://www.gazetastop.com/?p=93399 Paralajmërimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për shkrirjen e ideve të nismës Ballkani i Hapur në Procesin e Berlinit do të mirëpritej nga shumë qarqe në Bashkimin Evropian. Deri…

The post BE-në do ta lehtësonte shuarja e Ballkanit të Hapur, do të forcohej Procesi i Berlinit appeared first on Gazeta Stop.

]]>
Paralajmërimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për shkrirjen e ideve të nismës Ballkani i Hapur në Procesin e Berlinit do të mirëpritej nga shumë qarqe në Bashkimin Evropian.

Deri më tash, Rama është shprehur vetëm në media se Ballkani i Hapur “e ka përmbyllur misionin e tij” dhe se idetë e kësaj nisme do të barten në Procesin e Berlinit.

Në BE nuk ka pasur reagime zyrtare rreth këtij paralajmërimi, por, jozyrtarisht, disa diplomatë evropianë thonë për Radion Evropa e Lirë se “kjo do të mirëpritej” dhe se “do të ishte një lehtësim i madh për forcimin e Procesit të Berlinit dhe të proceseve tjera”.

Nisma Ballkani i Hapur, e cila fillimisht është quajtur Mini Schengen, është ndërmarrë më 10 tetor 2019, në Novi Sad, dhe është nënshkruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Nisma është kundërshtuar nga opozita në Shqipëri dhe është refuzuar nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Në kuadër të saj janë arritur disa marrëveshje, si për bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje të lirë.

Lidhur me paralajmërimin e Ramës për shuarjen e saj, Vuçiq ka thënë se “nuk mund ta besojë se ai [Rama] e ka thënë një gjë të tillë”. Në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur ndonjë reagim.

Cili ka qenë qëndrimi i BE-së?

BE-ja ka qenë vazhdimisht e paqartë rreth kësaj nisme.

Formalisht, nuk është shprehur kundër, sepse, në parim, mbështet çdo nismë që ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Por, në anën tjetër, shumë qarqe në BE e kanë parë atë si dublifikim i proceseve ekzistuese, si: Tregu i Përbashkët Rajonal, Procesi i Berlinit, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Marrëveshja për Tregti të Lirë – CEFTA e të tjera.

Në pyetjen se a e mbështesin nismën Ballkani i Hapur, në BE gjithmonë janë përgjigjur duke thënë se “mbështesin çdo nismë për bashkëpunim rajonal, e cila është gjithëpërfshirëse” dhe në të cilën janë “të gjashtë partnerët nga rajoni i Ballkanit Perëndimor”.

Marrë parasysh se në nismën Ballkani i Hapur, edhe pas disa vitesh, kanë mbetur vetëm tri vende anëtare: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, për të nuk mund të thuhet se është gjithëpërfshirëse.

Prandaj, shumë diplomatë në BE, jozyrtarisht, kanë shprehur qëndrimin se kjo nismë nuk e ka mbështetjen e plotë.

Në vend të kësaj, nga BE-ja është bërë thirrje që vendet e rajonit të fokusohen në Procesin e Berlinit, edhe pse as ai proces formalisht nuk është në kuadër të veprimit institucional të Bashkimit Evropian.

Nismën Ballkani i Hapur, ndërkohë, e kanë mbështetur vende si: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia dhe Hungaria, të cilat kanë dërguar edhe zyrtarë të tyre në takimet e saj.

Edhe komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka folur në disa takime të Ballkanit të Hapur.

Nga ana tjetër, Procesi i Berlinit ka fituar një mbështetje të plotë nga të gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, ashtu si edhe mbështetje ndërkombëtare.

Qëllim i kësaj nisme ndërqeveritare është t’i lidhë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimin Evropian dhe t’i ndihmojë ata të ndërtojnë marrëdhënie të ndërsjella mbi bazën e vlerave evropiane.

BE-ja ka qenë shumë aktive në mbështetjen e këtij procesi, duke u treguar e gatshme edhe për bashkëfinancimin e disa projekteve.

Procesi i Berlinit përfshin të gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke i cilësuar të gjitha si shtete, për dallim nga disa procese të tjera, ku BE-ja apo vendet e rajonit kanë rolin kryesor dhe ku – për shkak të Kosovës që nuk njihet nga Serbia dhe Bosnja – ato quhen “partnere” apo “gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor”.

Procesi i Berlinit është nismë gjermane, e mbështetur edhe nga shumë shtete të tjera të BE-së, si: Gjermania, Franca, Italia, Austria, Kroacia, Bullgaria, Sllovenia, Polonia dhe Greqia. Edhe pse nuk është më anëtare e BE-së, pjesë e procesit vazhdon të jetë edhe Britania e Madhe.

Të gjitha këto vende janë shprehur të gatshme të japin kontributin e tyre, për t’i ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet e tyre për zhvillim dhe afrim me standardet e BE-së.

Në samitet e Procesit të Berlinit kanë marrë pjesë edhe liderët e institucioneve të Bashkimit Evropian, përfshirë presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Procesi i Berlinit ka nisur si ide e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel. Por, edhe pasardhësi i saj, Olaf Scholz, ka vendosur ta mbajë këtë proces si prioritet. Ai ka qenë mikpritës dhe organizator i një samiti, ku janë nënshkruar disa marrëveshje kyçe mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili edhe do të jetë mikpritës i samitit të radhës të Procesit të Berlinit, shihen nga shumë diplomatë në BE si mundësi për “rrugëdalje të ndershme”.

Sipas tyre, tri vendet e Ballkanit të Hapur do të mund të thonë se kjo ide “nuk ka qenë e kotë” dhe se ajo “do ta begatojë Procesin e Berlinit”.

Ndërkohë, siç thonë diplomatët, do të hiqet edhe presioni ndaj Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës që t’i bashkohen një procesi, të cilit nuk i janë bashkuar deri më tash.

Në Kosovë, të gjitha qeveritë kanë qenë kundër Ballkanit të Hapur, ndërsa në Bosnje e Hercegovinë ka pasur mospajtime të brendshme, për shkak të të cilave vendi nuk ka mundur të bëhet pjesë.

Qeveria e kaluar e Malit të Zi ka qenë kundër, ndërsa fituesit e zgjedhjeve të qershorit kanë shprehur gatishmërinë që ta shqyrtojnë pjesëmarrjen në Ballkanin e Hapur. Megjithatë, edhe në Mal të Zi kjo çështje ka krijuar ndasi në spektrin e brendshëm politik. /Rel/

The post BE-në do ta lehtësonte shuarja e Ballkanit të Hapur, do të forcohej Procesi i Berlinit appeared first on Gazeta Stop.

]]>
93399
Pse përfundoi Ballkani i Hapur dhe çfarë prodhoi? https://www.gazetastop.com/pse-perfundoi-ballkani-i-hapur-dhe-cfare-prodhoi/?utm_source=rss&utm_medium=rss&utm_campaign=pse-perfundoi-ballkani-i-hapur-dhe-cfare-prodhoi Wed, 05 Jul 2023 06:48:02 +0000 https://www.gazetastop.com/?p=93249 Me kundërshtime nisi dhe ashtu përfundoi. Pas njoftimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për përfundimin e Ballkanit të Hapur, pushteti dhe opozita në Shqipëri, por edhe ish-diplomatë, kanë qëndrime…

The post Pse përfundoi Ballkani i Hapur dhe çfarë prodhoi? appeared first on Gazeta Stop.

]]>
Me kundërshtime nisi dhe ashtu përfundoi. Pas njoftimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për përfundimin e Ballkanit të Hapur, pushteti dhe opozita në Shqipëri, por edhe ish-diplomatë, kanë qëndrime të ndryshme për arritjet dhe për arsyet e mbylljes së nismës rajonale, ku, pos Shqipërisë, bën pjesë edhe Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Për pushtetin, nisma e arriti qëllimin përse u krijua si një shtysë për Procesin e Berlinit, ndërkaq, për opozitën, nuk pati asnjë arritje, por shkaktoi vetëm dëme në marrëdhëniet me Kosovën dhe i shërbeu Serbisë.

Nisma, që fillimisht u quajt Mini-Shengen, nisi më 10 tetor 2019, në Novi Sad të Serbisë, dhe u firmos nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Më 29 korrik 2021, ajo u pagëzua me emrin Ballkani i Hapur. Nisma u kundërshtua nga opozita në Shqipëri, dhe u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

Ballkani i Hapur, mbivendosje apo shtysë e Procesit të Berlinit?

Kryeministri shqiptar, Rama, deklaroi mbylljen e Ballkanit të Hapur, një nismë që hapi debate të forta në Shqipëri, por edhe përplasje në marrëdhëniet me Kosovën. Ai, më 1 korrik, tha për Euronews Albania, se kjo nismë lindi për të çuar përpara Procesin e Berlinit, dhe, sipas tij, ky mision është kryer.

Lidhur me këtë deklaratë të Ramës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “nuk mund të besojë se ai [Rama] ka thënë një gjë të tillë”.

Ndërkaq, në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur reagime për këtë deklaratë të Ramës.

Përfundimin e Ballkanit të Hapur, Rama e kishte paralajmëruar që më 23 qershor, kur në një konferencë për media, deklaroi “ngrirje” të marrëdhënieve me Serbinë, për shkak të arrestimit të tre policëve të Kosovës.

Rama tha se nuk do të takohej dhe nuk do të fliste me presidentin e Serbisë, Vuçiq, për asgjë tjetër, veçse për këtë çështje, që i tensionoi më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Policët ndërkohë u liruan më 26 qershor.

Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ish-ministra dhe ish-ambasadorë, kanë mendime të ndryshme sa i përket Ballkanit të Hapur, pse u nis dhe çfarë u arrit.

Për deputetin e Partisë Socialiste, dikur zëvendësministër i Jashtëm, Etjen Xhafaj, nisma ishte një nivel paralel me atë të Procesit të Berlinit, ku vendet e rajonit synonin integrimin ekonomik dhe social, duke u përgatitur për integrim evropian.

“Duke qenë se lista e prioriteteve të Bashkimit Evropian kishte nisur të ndryshonte, duke ikur pak nga fokusi i rajonit dhe për rajonin, në drejtim të disa prioriteteve më të gjera, siç ishte menaxhimi i krizës së emigrantëve, rrjedhimisht vendet e Ballkanit Perëndimor panë mënyrën për të ndryshuar statos quo-në, panë mundësinë për të pasur një mënyrë alternative, që të kishin një integrim më të shpejtë ekonomik. Ishte një shtysë për Procesin e Berlinit”, thotë Xhafaj.

Ndryshe e sheh nismën deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku. Sipas ish-kryediplomatit shqiptar, nisma synoi vetëm sigurimin e udhëheqjes së Serbisë në Ballkan.

“Në themelimin e saj, në Novi Sad, Vuçiq referoi frazën ‘Ballkani i ballkanasve’. Kjo është strategji e Serbisë për ta kthyer këtë rajon në një hapësirë të mbyllur mes Lindjes dhe Perëndimit, kjo nuk është frazë e re. Ambasadorë rusë, shekuj më parë e kanë përdorur këtë fjalë kur kanë ndarë Ballkanin dhe kur kanë copëtuar tokat e shqiptarëve. Nisma ka synuar sigurimin e udhëheqjes së Serbisë në Ballkan, por ka qenë edhe një lloj mburoje për ta parë Ballkanin si një bunker, sepse një Ballkan pa praninë e Perëndimit është krejtësisht i kontrolluar nga rusët dhe nga Lindja”, thotë Çollaku.

A pati arritje Ballkani i Hapur?

Gjatë takimeve në kuadër të Ballkanit të Hapur, u nënshkruan disa marrëveshje, mes tri vendeve pjesëmarrëse – Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Për pushtetin në Shqipëri, arritjet ishin të mëdha, ndërsa për opozitën nisma nuk arriti asgjë më shumë se sa t’i jepte Serbisë një rol dominues në Ballkan, dhe, sipas saj, rikuperoi imazhin e Vuçiçit dhe të Serbisë në arenën ndërkombëtare.

“Ndër arritjet e mëdha është bashkëpunimi ekonomik, lëvizja e lirë e njerëzve në kufi, liberalizimi i shkëmbimeve tregtare, i njohjes së licencave profesionale, apo deri diku edhe i diplomave, pra afrimi i tregut të Ballkanit Perëndimor. Edhe ata që ishin anëtarë të kësaj nisme, edhe ata që nuk ishin, janë të vetëdijshëm se madhësia e tregjeve tona është e vogël për të tërhequr investime të mëdha”, pohon Etjen Xhafaj.

Për deputetin demokrat, Çollaku, nisma shënon “një nga majat e suksesit të diplomacisë serbe”.

“Ballkani i Hapur ishte një përpjekje e mirëmenduar për të rikthyer rolin hegjemon të Serbisë, udhëheqjen e saj në aspektin politik, ekonomik e ushtarak. Nisma arriti një nivel të lartë, kur arriti të futej në Marrëveshjen e Uashingtonit, në formatin e Mini-Shengenit në atë kohë, dhe Kosova u detyrua ta pranonte prej ofensivës serbe. Kështu, Serbia, nga vend që shkaktoi katër lufta gjenocidale në Ballkan, projektohej si vend që frymëzonte paqe dhe bashkëpunim në hapësirën ballkanike”, shprehet Çollaku.

Socialisti Xhafaj thotë se përfundimi i Ballkanit të Hapur erdhi si pasojë e zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës.

“Avancimet e bëra u tërhoqën përpara krizës në veri [të Kosovës]. Incidenti më i rëndë ishte arrestimi i tre policëve brenda territorit të Kosovës, që është thyerje e integritetit dhe është kujtesë e konfliktit të vitit ’99. Dhe, rrjedhimisht Rama mori vendimin që të kemi një platformë ku të mos jemi më vetëm gjashtë vendet duke diskutuar me njëra-tjetrën, duke gjykuar se në këtë moment ka nevojë për një arbitër që angazhohet për një projekt të përbashkët, fokusi do të jetë te Procesi i Berlinit”, shprehet Xhafaj.

Tensionet në veri të Kosovës nisën në fund të majit, kur serbët nisën protestat kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Serbët po kërkojnë tërheqjen e kryetarëve dhe njësive speciale të Policisë së Kosovës. Nga bashkësia ndërkombëtare, Kosovës po i kërkohet të tërheqë policinë dhe kryetarët e rinj nga ndërtesat komunale dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Ndërkaq, Serbisë po i kërkohet që t’i bindë serbët të marrin pjesë, pa kushte, në zgjedhjet e reja.

Për Çollakun, përfundimi i kësaj nisme është lajm i mirë për shqiptarët.

“Nuk kishte më asnjë mundësi mbijetese. Është lajm i mirë, por i vonuar. Prodhoi vetëm një ndarje të thellë në qasjen e politikës së jashtme brenda vendit, pasi opozita e ka kundërshtuar që prej fillimit të saj. Shkaktoi gjithashtu një konflikt të madh mes Tiranës dhe Prishtinës, kështu që mbyllja krijon mundësi të re të rigjejmë një kohezion të brendshëm, të paktën sa i përket temave delikate të politikës së jashtme, por edhe në raportet me Kosovën”, thotë ai.

Çollaku shton se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithnjë kanë kërkuar gjithëpërfshirje.

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, sheh si arsye të përfundimit të kësaj nisme faktin se në tetor Tirana mirëpret samitin e Procesit të Berlinit.

“Shqipëria është vendi mikpritës i samitit të Procesit të Berlinit në tetor të këtij viti, do të vijnë kryetarë shtetesh dhe qeverish të Evropës, dhe nuk mund të jetë njëkohësisht edhe iniciuese e një nisme rajonale, që krijon mbivendosje me Procesin e Berlinit. Kjo është arsyeja që kryeministri Rama shpalli, madje pa dijeninë e presidentit serb, Vuçiq, që misioni i Ballkanit të Hapur u mbyll. Një tjetër arsye e fundit të kësaj nisme është edhe fakti se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk u përmirësuan – gjë që ishte një nga synimet e kësaj nisme – por u përkeqësuan. Tensionet në veri të Kosovës i dhanë një goditje nismës”, thekson Milo.

Ndërkaq, ish-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Agim Nesho, thotë se nisma u cilësua nga Rama si projekti i shekullit, por përfundoi duke mos arritur asgjë.

“Ishte një vizion qesharak i Ramës, që donte të bënte diçka, por nuk bëri asgjë. E përdori Vuçiqi. Dhe, në një moment krize, kur nuk i dha as minimalen, lirimin e tre policëve [të Kosovës] – këtë meritë ia dha [kryeministrit të Hungarisë, Viktor] Orbanit, duke ditur peshën e tij në politikën e jashtme – Rama hoqi dorë. Unë mendoj se ishte një aventurë me pasoja për politikën e Shqipërisë, për besueshmërinë e vendit tonë”, thotë Nesho.

Shqipëria pret këtë vit për herë të parë një samit të Procesit të Berlinit, ku do të marrin pjesë liderë të Bashkimit Evropian.

Më 6 dhe 7 korrik, Rama pritet të zhvillojë një turne ballkanik në kuadër të këtij procesi. Ai pritet të vizitojë Prishtinën, Beogradin, Shkupin, Sarajevën dhe Podgoricën./REL/

The post Pse përfundoi Ballkani i Hapur dhe çfarë prodhoi? appeared first on Gazeta Stop.

]]>
93249
Rama: Sa më shumë të afrohemi, shtohen shanset për paqe mes Kosovës e Serbisë https://www.gazetastop.com/rama-sa-me-shume-te-afrohemi-shtohen-shanset-per-paqe-mes-kosoves-e-serbise/?utm_source=rss&utm_medium=rss&utm_campaign=rama-sa-me-shume-te-afrohemi-shtohen-shanset-per-paqe-mes-kosoves-e-serbise Wed, 08 Jun 2022 09:13:48 +0000 https://www.gazetastop.com/?p=73669 Duke folur për iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë shembuj të shteteve të ndryshme për pajtim pas luftërave. Duke folur për pajtimin që kanë…

The post Rama: Sa më shumë të afrohemi, shtohen shanset për paqe mes Kosovës e Serbisë appeared first on Gazeta Stop.

]]>
Duke folur për iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë shembuj të shteteve të ndryshme për pajtim pas luftërave. Duke folur për pajtimin që kanë pasur pas luftërave Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonisë apo edhe Francës e Gjermanisë, Rama ka thënë se edhe Kosova e Serbia duhet të afrohen me njëra-tjetrën në këtë iniciativë për të rritur shanset për paqe.

“Besoj se sa më shumë të afrohemi aq më shumë shanse ka të zgjidhen konfliktet e të bëhen paqe mes Serbisë e Kosovës. S’kam pajtim me Vuçiqin për Kosovën. Zgjidhja është e thjeshtë. Ose mosdakordësia kthehet në konflikt permanent në të gjitha boshllëqet që mbesin në ekonominë tonë, në sigurinë tonë, ose e kundërta. Të afrohemi sa më shumë që të kuptojmë njëri-tjetrin e në fund vetë njerëzit të jenë të vetëdijshëm se e ardhmja është më e rëndësishme se e shkuara”, ka deklaruar Rama në fjalimin e tij.

Sipas tij, pas nisjes së luftës në Ukrainë iniciativa e “Ballkanit të Hapur” është domosdoshmëri më e madhe se që ishte më herët.

“‘Ballkani i Hapur’ është i rëndësishëm për hapësirën e përbashkët në të cilën lindin fëmijët tanë dhe në të cilën nesër fëmijët tanë do të marrin në duar fatet e vendeve tona. Këtë e dinë sot shumë mirë shqiptarët e Shqipërisë që në këshillimin kombëtar me gjysmë milioni qytetarë, ishin mbi 60 për qind në mbështetje të ‘Ballkanit të Hapur’”, ka thënë ai në fjalimin hyrës.

Rama i ka quajtur absurdë dhe të pështirë zërat se lufta në Ukrainë rrezikon të importohet në Ballkan.

“Ne e dimë. S’kemi pritur luftën në Ukrainë për ta ditur marrëdhënien speciale që Serbia ka me Rusinë. S’kemi pritur luftën në Ukrainë për të mësuar se mes Serbisë e Rusisë ka një histori. As për t’u informuar se mes Serbisë e Kosovës ka konflikt të pazgjidhur. Por midis të qëndruarit me kurriz nga e ardhmja dhe të kthimit të syve drejt të ardhmes, kemi zgjedhur të dytën. Sot jemi këtu pikërisht sepse duam të vazhdojmë të shkojmë drejt të ardhmes, pa i mbyllur sytë ndaj problemeve ende të pazgjidhura por të bindur se problemet e pazgjidhura mund të zgjidhen vetëm nëse ne afrohemi, vetëm nëse ne kuptojmë sa të rëndësishëm jemi për njëri-tjetrin. I kthehem prapë ambasadorit Christopher Hill që më tha diçka që s’e kisha menduar kurrë. SHBA-ja ka hedhur dy bomba atomike në Japoni. Ndër aleancat më të forta sot e prej shumë vitesh është SHBA-Japoni. Ja ku është sot Japonia. S’do të ishte sot aty, po të vazhdonte të rrinte me kurriz kah Shtete e Bashkuara të uleshin në gjunjë për bombat atomike. Të gjitha gjërat kanë radhën e tyre. Ku janë sot Franca e Gjermania? Çfarë po bëjnë sot Izraeli me Emiratet e Bashkuara, pas një armiqësie që është e pakrahasueshme për nga thellësia dhe gjaku i derdhur e aktet e çmendurisë me asgjë që kemi parë këtu. Janë bashkë. Janë bashkë për të përfituar reciprokisht nga shtrëngimi i duarve dhe rruga drejt të ardhmes”, ka thënë Rama.

The post Rama: Sa më shumë të afrohemi, shtohen shanset për paqe mes Kosovës e Serbisë appeared first on Gazeta Stop.

]]>
73669
Abazoviq mohon se Mali i Zi po i bashkohet “Ballkanit të Hapur” https://www.gazetastop.com/abazoviq-mohon-se-mali-i-zi-po-i-bashkohet-ballkanit-te-hapur/?utm_source=rss&utm_medium=rss&utm_campaign=abazoviq-mohon-se-mali-i-zi-po-i-bashkohet-ballkanit-te-hapur Wed, 08 Jun 2022 09:04:09 +0000 https://www.gazetastop.com/?p=73666 Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, mohoi se shteti i tij po i bashkohet nismës rajonale, “Ballkani i Hapur”. Abazoviq po merr pjesë për herë të parë në takimet…

The post Abazoviq mohon se Mali i Zi po i bashkohet “Ballkanit të Hapur” appeared first on Gazeta Stop.

]]>
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, mohoi se shteti i tij po i bashkohet nismës rajonale, “Ballkani i Hapur”.

Abazoviq po merr pjesë për herë të parë në takimet e kësaj nisme, që po mbahen në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por, prania e tij në këto takime është thënë se është në cilësinë e vëzhguesit.

“Nuk po shkojmë në Ohër për t’iu bashkëngjitur ‘Ballkanit të Hapur’, por për të shprehur, së bashku me partnerët e BE-së dhe aleatët e NATO-s, qëndrimin ndaj një nisme rajonale, në mënyrë që në fund të fundit të kemi më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim të mirë”, tha Abazoviq përmes një postimi në kanalin e tij në rrjetin social, Telegram.

Ky reagim i Abazoviqit u bë pasi më 7 qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas një takimi joformal në Ohër, deklaroi se pjesëmarrja e Abazoviqit në takimet në Ohër, “fut zyrtarisht Malin e Zi në ‘Ballkanin e Hapur’”.

Në nismën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut – jashtë saj janë ende: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Megjithatë, në Ohër po marrin pjesë përfaqësuesit e Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, të prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të Hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale.

Megjithatë Abazoviq, ka dhënë sinjale se vendi i tij mund të përfshihet në “Ballkanin e Hapur”.

The post Abazoviq mohon se Mali i Zi po i bashkohet “Ballkanit të Hapur” appeared first on Gazeta Stop.

]]>
73666
Kosova jashtë “Ballkanit të Hapur”- mirë, apo keq? https://www.gazetastop.com/kosova-jashte-ballkanit-te-hapur-mire-apo-keq/?utm_source=rss&utm_medium=rss&utm_campaign=kosova-jashte-ballkanit-te-hapur-mire-apo-keq Tue, 07 Jun 2022 16:22:46 +0000 https://www.gazetastop.com/?p=73634 Duke refuzuar t’i bashkohet nismës “Ballkani i Hapur”, Kosova humb një lëvizje më të lirë të qytetarëve dhe mallrave, si dhe një treg më të madh për prodhuesit vendorë, thotë…

The post Kosova jashtë “Ballkanit të Hapur”- mirë, apo keq? appeared first on Gazeta Stop.

]]>

Duke refuzuar t’i bashkohet nismës “Ballkani i Hapur”, Kosova humb një lëvizje më të lirë të qytetarëve dhe mallrave, si dhe një treg më të madh për prodhuesit vendorë, thotë Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, në Prishtinë.

Në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Ajo është iniciuar nga krerët e këtyre shteteve në tetor të vitit 2019.

Nisma, që fillimisht është quajtur “Mini-Shengen”, sipas iniciuesve të saj, parasheh lëvizje të lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis të tria vendeve.

Me gjithë thirrjet e iniciuesve, tri vende të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina – vazhdojnë të kundërshtojnë të bëhen pjesë e nismës.

yrtarët në Kosovë, në pushtet dhe opozitë, kanë argumentuar se një nismë e tillë është “pa vizion” dhe “e rrezikshme”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se “Ballkani i Hapur” nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.

Ymeri thotë se Kosova në nismën “Ballkani i Hapur” do të plasohej si shtet i pavarur, ashtu si edhe shtetet e tjera pjesëmarrëse, dhe se do të bëhej pjesë e barabartë e marrëveshjeve që zbatojnë ato.

“Krahasuar me vendet e rajonit, Kosova i ka vështirësitë më të mëdha sa i përket qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave. Në këtë drejtim, konsideroj se Kosovës i konvenojnë më së shumti nismat rajonale”, thotë Ymeri.

Kosova është i vetmi vend në Ballkan që nuk ka lëvizje të lirë në Bashkimin Evropian.

Qytetarët e saj nuk mund të lëvizin lirshëm as në Serbi e Bosnje – dy vende që nuk e njohin pavarësinë e shtetit, të shpallur në shkurt të vitit 2008.

Ymeri thotë se hyrja e Kosovës në “Ballkanin e Hapur” do të nënkuptonte zgjerim të tregut për të.

“Sa më i gjerë që është tregu, aq më atraktiv do të ishte për investitorët”, vlerëson ai.

Marrëveshjet e “Ballkanit të Hapur”

Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Marrëveshjet, mes tjerash, përfshijnë lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Udhëheqësit e tri shteteve kanë planifikuar që gradualisht të krijojnë edhe një treg të përbashkët për 12 milionë banorë – aq sa kanë të tria vendet bashkë.

Nga 1 janari i vitit 2023, ndërkaq, është rënë dakord që edhe kontrollet kufitare midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të hiqen.

Përfaqësuesit e tri vendeve pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje të reja edhe këtë javë.

Ata po takohen më 6 dhe 7 qershor në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Për herë të parë, në cilësinë e vëzhguesve, marrin pjesë edhe përfaqësues të Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, por jo të Kosovës.

Pse Kosova është kundër?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka njoftuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, se refuzon pjesëmarrjen në Ohër, pasi, siç ka thënë, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.

Ky proces është një iniciativë e nisur në vitin 2014, nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, me qëllim promovimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe integrimin evropian.

Në një deklaratë të mëhershme, Kurti ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

Në letrën dërguar Kovaçevskit, Kurti ka ftuar homologun maqedonas që “të punojmë së bashku për të parandaluar Serbinë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”.

Duke e komentuar këtë deklaratë, njohësi i çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut, Xhelal Neziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se “një nismë që përbëhet nga shtete që janë anëtare të NATO-s, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e në të cilën pritet të inkuadrohen edhe shtete të tjera si Mali i Zi, nuk mund të jetë projekt që do t’i mundësojë Rusisë të shtrijë ndikimin e saj në rajon”.

Gërxhaliu: Bashkëpunimi rajonal nuk ka alternativë

Profesori i ekonomisë në Kosovë, Safet Gërxhaliu, thotë se bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor nuk ka alternativë.

Sipas tij, në “Ballkanin e Hapur” duhet të jenë të përfshira të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, për të qenë funksional.

Si i plotë, thotë Gërxhaliu, “Ballkani i Hapur” do të ishte “një mundësi e mirë për zhvillimin ekonomik të rajonit, tregun e përbashkët rajonal, investime të huaja, rritje të këmbimit tregtar mes vendeve anëtare, turizëm, edukim dhe shumë mundësi tjera”.

Gërxhaliu shton se për të funksionuar iniciativat rajonale, Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë sa më shpejt marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, e që do të përfshinte edhe njohjen reciproke.

Edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, thotë se Kosova do të përfitonte nga përfshirja në “Ballkanin e Hapur”.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai merr shembull marrëveshjen e “Ballkanit të Hapur” për qasje të lirë në tregun e punës.

“Liderët e shteteve, që janë pjesë e një iniciative të tillë, kanë folur për benefitet e shkëmbimit edhe të njerëzve, do të thotë nga njëri shtet në tjetrin brenda sezoneve të caktuara… Brenda një viti, ndoshta një shtet ka fuqi punëtore të bollshme, të panevojshme për tregun e brendshëm, që mund të zhvendoset në një shtet tjetër të Ballkanit”, thotë Zeka.

A do të përfshihet Mali i Zi në “Ballkanin e Hapur”?

Duke arsyetuar mospjesëmarrjen e tyre në “Ballkanin e Hapur”, përfaqësuesit politikë të Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës kanë thënë, deri më tash, se nuk bëhen pjesë e nismave që mund të shihen si alternativë e rrugës së tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i zgjedhur në muajin prill, ka dhënë sinjale se vendi i tij mund të përfshihet në këtë nismë.

Në një samit të mbajtur në fund të majit në Mal të Zi, Abazaviq dhe presidentja e Kosovës, Osmani, kanë replikuar me njëri-tjetrin, pikërisht për shkak të kësaj nisme.

Abazoviq ka thënë se një pjesë e shoqërisë në Mal të Zi e kundërshton “Ballkanin e Hapur” vetëm për shkak të rolit të Serbisë në të.

“Ata nuk e kanë problem nismën, por e kanë problemin personal”, ka thënë Abazoviq.

Ndaj komenteve të tij ka reaguar Osmani, duke thënë se Kosova është e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal, porse mospajtimi i Kosovës me nismën e “Ballkanit të Hapur” duhet të respektohet.

Për mospjesëmarrje në këtë nismë, Kosovën e ka kritikuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë se ajo “merret me teori konspirative, në vend se të jetësojë bashkëpunimin”.

Shtetet e Bashkuara, përmes të të dërguarit të tyre për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë shprehur bindjen se nëse “Ballkani i Hapur” nuk përfshin të gjashtë shtetet e rajonit, nisma nuk do të funksionojë.

Në një konferencë të nismës, që është mbajtur në nëntor të vitit të kaluar në Beograd, Escobar ka thënë se iniciativat rajonale duhet të jenë në mënyrë të barabartë të hapura për të gjitha shtetet. /rel/

The post Kosova jashtë “Ballkanit të Hapur”- mirë, apo keq? appeared first on Gazeta Stop.

]]>
73634
Rama u reagon Gjukanoviqit e Osmanit, thotë se Ballkani i Hapur nuk do të ndalet https://www.gazetastop.com/rama-u-reagon-gjukanoviqit-e-osmanit-thote-se-ballkani-i-hapur-nuk-do-te-ndalet/?utm_source=rss&utm_medium=rss&utm_campaign=rama-u-reagon-gjukanoviqit-e-osmanit-thote-se-ballkani-i-hapur-nuk-do-te-ndalet Wed, 18 May 2022 19:17:08 +0000 https://www.gazetastop.com/?p=72602 Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka reaguar Milo Gjukanoviqit dhe Vjosa Osmanit në lidhje me deklaratat e tyre për Ballkanin e Hapur.  Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq,…

The post Rama u reagon Gjukanoviqit e Osmanit, thotë se Ballkani i Hapur nuk do të ndalet appeared first on Gazeta Stop.

]]>
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka reaguar Milo Gjukanoviqit dhe Vjosa Osmanit në lidhje me deklaratat e tyre për Ballkanin e Hapur. 

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, vizitoi sot Kosovën ku u prit nga Presidentja Vjosa Osmani. Në konferencën për media pas takimit, u fol edhe për nismën “Ballkani i Hapur” ku të dy liderët thanë se janë kundër kësaj nisme dhe se Procesi i Berlinit është iniciativa e vetme që i duhet Ballkanit Perëndimor, 

Jemi shumë të vetëdijshëm për mundësinë e bashkëpunimit rajonal ekonomik. Ky orientim parimor nuk do të thotë se i kemi sytë mbyllur. Por, ne mendojmë se në këtë temë kemi një iniciativë të mirë të Procesit të Berlinit. Kjo iniciativë është komplementare në rrugën drejt integrimit evropian”, tha Gjukanoviq. 

Rama u reagoi këtyre deklaratave sot nëpërmes një statusi në Twitter duke thënë se Ballkani i Hapur e përshpejton Procesin e Berlinit.   

“Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nisëm nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot”, ka shkruar ai. 

Deklaratave të këtyre liderëve u parapriu një koment i kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviqit, i cili tha se do t’i bashkoheshin kësaj nisme nëse do i bashkoheshin të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. 


The post Rama u reagon Gjukanoviqit e Osmanit, thotë se Ballkani i Hapur nuk do të ndalet appeared first on Gazeta Stop.

]]>
72602
Osmani e Pendarovski, me rezerva për “Ballkanin e Hapur” https://www.gazetastop.com/osmani-e-pendarovski-me-rezerva-per-ballkanin-e-hapur/?utm_source=rss&utm_medium=rss&utm_campaign=osmani-e-pendarovski-me-rezerva-per-ballkanin-e-hapur Wed, 15 Dec 2021 12:11:16 +0000 https://www.gazetastop.com/?p=64344 Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur sërish për ndikimin që Rusia ka në rajon, përmes siç tha ajo, “trampolinës së saj, Serbisë”. Osmani foli më 15 dhjetor pas takimit që zhvilloi…

The post Osmani e Pendarovski, me rezerva për “Ballkanin e Hapur” appeared first on Gazeta Stop.

]]>
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur sërish për ndikimin që Rusia ka në rajon, përmes siç tha ajo, “trampolinës së saj, Serbisë”.

Osmani foli më 15 dhjetor pas takimit që zhvilloi me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili qëndroi në Prishtinë.

“Kosova dhe rajoni ballafaqohen me rreziqe të mëdha për shkak të tendencave destabilzuese të Rusisë nëpërmes Serbisë. Kosova është e përkushtuar jo vetëm të refuzojë ndikimet dashakeqe, por edhe të bashkëpunojë me partnerët tanë që të parandalohen ndikimet e këtilla destabilizuese. Rajonit i duhet ecje me hapa konkretë drejt integrimit evropian, por edhe paqe e stabilitet afatgjatë. Por, krejt kjo dëmtohet nëse ndikimi i Rusisë rritet nëpërmes trampolinës së saj, Serbisë”, tha Osmani.

Ndërkaq, iniciativa “Ballkani i Hapur”, sipas presidentes së Kosovës, nuk u ndërtua mbi parimet themelore të bashkëpunimit ndërfqinjësor. Po ashtu, sipas Osmanit, kjo iniciativë nuk e pranon trajtimin e barabartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Përderisa Serbia nuk e trajton Kosovën mënyrë të barabartë në iniciativa rajonale, atëherë shohim se Serbia do zgjerim të interesave të saj hegjemoniste. Kosova ka rezerva të mëdha sa i përket aspekteve politike të kësaj iniciative, por edhe sa i përket ekonomisë e sigurisë sepse synimi është të përdoret njëfarë paradhome që të zvarritet procesi e integrimit evropian”, deklaroi Osmani.

Rezerva ndaj “Ballkanit të Hapur” kishte edhe presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski. Ai tha se kjo iniciativë nuk mund të ketë sukses përderisa në të nuk janë të përfshira të gjitha vendet e Ballkanit Perëndor.

Pendarovski shtoi se “Ballkanin e Hapur” e ka parë me dyshime qëkur është lansuar më 2019.

Në këtë nismë bëjnë pjesë Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

“T’ua rikujtoj se kur nisi si iniciativë në vitin 2019, unë isha politikani i parë që shpreha rezerva. Kësaj iniciative i mungon diçka, në vend se të jenë gjashtë shtetet, janë vetëm tre. Derisa kjo iniciativë nuk i përfshin të gjitha shtetet nuk do të suksese. Qëndrimi im është se mund të jetë vetëm një nga mjetet për përmirësim tregtar e ekonomik, por jo politik. Mund të jetë vetëm pjesë e Procesit të Berlinit, por jo ta zëvendësojë atë. Procesi i Berlinit është iniciativë që ka institucione, ka resurse që ‘Ballkani i Hapur’ nuk i ka”, tha Pendarovski.

Sa u përket raporteve me Maqedoninë e Veriut, Osmani e falënderoi presidentin Pendarovski për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovën në procesin e integrimeve evropiane, por edhe në NATO, aty ku Maqedonia e Veriut tashmë është anëtare.

“E falënderoj gjithë shtetin për kontributin e dhënë që Kosova të ecë përpara, për mbështetje që na jep për anëtarësimi në organizata ndërkombëtare aty ku Ksova edhe e ka vendin, por edhe për kontributin në kuadër të misionit të KFOR-it”, tha Osmani.

Presidentja Osmani përmendi edhe çështjen e vizave për Kosovën, duke thënë se shteti tashmë i ka plotësuar të gjitha kushtet, por Bashkimi Evropian ende nuk e ka mbajtur premtimin.

Në anën tjetër, presidenti Pendarovski gjatë fjalimit të tij u përqendrua te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se dialogu mbretet zgjidhja e vetme drejt stabilitetit në rajon.

“E dimë që procesi është i vështirë dhe i komplikuar, por shtetet e rajonit me qëllim të mirë e mbështesin zgjidhjen e kontestit. Maqedonia e Veriut do të mbështesë marrëveshjen finale mes dy vendeve sepse sipas nesh ajo do të kontribuojë në stabilitet në rajon”, tha ai.

Bisedimet për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë filluar qysh në vitin 2011. Që nga ajo kohë janë arritur një sërë marrëveshjesh, porse shumica prej tyre nuk janë zbatuar në praktikë.

Dialogu u ndërpre disa herë për arsye të ndryshme. Por, së fundmi pengesë në dialog u bë marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovës.

Qëllim i dialogut thuhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme për të dyja palët.

Osmani është pyetur edhe për “grupin e Kumanovës”, me ç’rast tha se janë të gatshëm ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut për të hapur një hetim ndërkombëtar në lidhje me këtë rast.

“Duhet të presim që procesi të përfundojë e të zbardhen të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin. Rasti ndodhet në Gjykatën Supreme dhe pasi të merret vendimi, Supremja ezaurohen të gjitha mjetet juridike sa i përket procesit. Edhe kryeministri (i Maqedonisë së Veriut, Zoran) Zaev shprehi gatishmëri për hetim ndërkombëtar ose përfshirje të ekspertëve nga jashtë që rasti të zbardhet. Kosova do të ofrojë mbështetjen e nevojshme”, theksoi Osmani.

The post Osmani e Pendarovski, me rezerva për “Ballkanin e Hapur” appeared first on Gazeta Stop.

]]>
64344