Rama: Sa më shumë të afrohemi, shtohen shanset për paqe mes Kosovës e Serbisë

Duke folur për iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë shembuj të shteteve të ndryshme për pajtim pas luftërave. Duke folur për pajtimin që kanë pasur pas luftërave Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonisë apo edhe Francës e Gjermanisë, Rama ka thënë se edhe Kosova e Serbia duhet të afrohen me njëra-tjetrën në këtë iniciativë për të rritur shanset për paqe.

“Besoj se sa më shumë të afrohemi aq më shumë shanse ka të zgjidhen konfliktet e të bëhen paqe mes Serbisë e Kosovës. S’kam pajtim me Vuçiqin për Kosovën. Zgjidhja është e thjeshtë. Ose mosdakordësia kthehet në konflikt permanent në të gjitha boshllëqet që mbesin në ekonominë tonë, në sigurinë tonë, ose e kundërta. Të afrohemi sa më shumë që të kuptojmë njëri-tjetrin e në fund vetë njerëzit të jenë të vetëdijshëm se e ardhmja është më e rëndësishme se e shkuara”, ka deklaruar Rama në fjalimin e tij.

Sipas tij, pas nisjes së luftës në Ukrainë iniciativa e “Ballkanit të Hapur” është domosdoshmëri më e madhe se që ishte më herët.

“‘Ballkani i Hapur’ është i rëndësishëm për hapësirën e përbashkët në të cilën lindin fëmijët tanë dhe në të cilën nesër fëmijët tanë do të marrin në duar fatet e vendeve tona. Këtë e dinë sot shumë mirë shqiptarët e Shqipërisë që në këshillimin kombëtar me gjysmë milioni qytetarë, ishin mbi 60 për qind në mbështetje të ‘Ballkanit të Hapur’”, ka thënë ai në fjalimin hyrës.

Rama i ka quajtur absurdë dhe të pështirë zërat se lufta në Ukrainë rrezikon të importohet në Ballkan.

“Ne e dimë. S’kemi pritur luftën në Ukrainë për ta ditur marrëdhënien speciale që Serbia ka me Rusinë. S’kemi pritur luftën në Ukrainë për të mësuar se mes Serbisë e Rusisë ka një histori. As për t’u informuar se mes Serbisë e Kosovës ka konflikt të pazgjidhur. Por midis të qëndruarit me kurriz nga e ardhmja dhe të kthimit të syve drejt të ardhmes, kemi zgjedhur të dytën. Sot jemi këtu pikërisht sepse duam të vazhdojmë të shkojmë drejt të ardhmes, pa i mbyllur sytë ndaj problemeve ende të pazgjidhura por të bindur se problemet e pazgjidhura mund të zgjidhen vetëm nëse ne afrohemi, vetëm nëse ne kuptojmë sa të rëndësishëm jemi për njëri-tjetrin. I kthehem prapë ambasadorit Christopher Hill që më tha diçka që s’e kisha menduar kurrë. SHBA-ja ka hedhur dy bomba atomike në Japoni. Ndër aleancat më të forta sot e prej shumë vitesh është SHBA-Japoni. Ja ku është sot Japonia. S’do të ishte sot aty, po të vazhdonte të rrinte me kurriz kah Shtete e Bashkuara të uleshin në gjunjë për bombat atomike. Të gjitha gjërat kanë radhën e tyre. Ku janë sot Franca e Gjermania? Çfarë po bëjnë sot Izraeli me Emiratet e Bashkuara, pas një armiqësie që është e pakrahasueshme për nga thellësia dhe gjaku i derdhur e aktet e çmendurisë me asgjë që kemi parë këtu. Janë bashkë. Janë bashkë për të përfituar reciprokisht nga shtrëngimi i duarve dhe rruga drejt të ardhmes”, ka thënë Rama.