Gërxhaliu: Të eliminohen bllokadat politike që e dëmtojnë ekonominë

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka kërkuar që të formohet sa më shpejt Qeveria e re e Kosovës pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai për “Epokën e re” ka thënë se formimi i shpejtë i qeverisë duhet të ndodhë në funksion të zhvillimit ekonomik, mirëqenies sociale dhe proceseve integruese.

“Unë besoj se në këto zgjedhje fitojë Kosova dhe qytetarët e Kosovës, gjë që treguan model që duhet të ndiqet edhe nga vendet e ndryshme evropiane dhe një dalje e tillë masive e qytetarëve për të votuar është mesazh i qartë se qytetarët janë për ndryshim dhe për një ardhmëri siç e meriton civilizimi. Në këtë drejtim dua të besoj se është obligim moral i fitueseve që të bëjnë çmos që të krijojnë institucionet e reja dhe demokratike në interes të shtetit dhe të qytetarëve, gjithnjë duke pas parasysh kohën e pandemisë që jemi”, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka thënë se çdo bllokadë politike për formimin e institucioneve do të shkojë në disfavor të ekonomisë së vendit dhe në favor të kundërshtarëve politik të Republikës së Kosovës.

“Problemet e grumbulluara janë shumë të mëdha, qoftë në aspektin politik, ekonomik, social, integrues dhe psikologjik. Prandaj, dua të apelojë tek lidershipi që mos të krijohet bllokadë ekonomike, pasi do ta dëmtojnë Kosovën dhe të ardhmen e saj dhe kjo bllokadë do të shkonte në favor të kundërshtarëve të Republikës së Kosovës. Prandaj, një fitore e tillë është obligim që të fillojnë sa më shpejtë t’i përveshën punës, jo me euforizma dhe revanshime, por me dialog dhe partneritet të mirëfilltë, pasi Kosova është e të gjithëve dhe të  gjithë meritojnë të ardhme me të mirë”, ka thënë Gërxhaliu.

Më tutje, ai ka thënë se qeverisja e re duhet t’i ketë në fokus ndërmarrjet publike, ruajtën e partneritetit me ShBA-në dhe Evropën, si dhe fokusimin në kapacitete gjeneruese.

Sipas tij, udhëtimet e para të kryeministrit të ri duhet të jenë në Uashington, Bruksel dhe Berlin. “Duhet kuptuar se janë trashëguar probleme nga e kaluara dhe në këtë drejtim dua të besoj se rrugëtimet e para të  kryeministrit të ri do të jetë në Uashington,  Bruksel e Berlin, jo në Tiranë. Në rend të dytë në aspektin ekonomik besoj se është urgjente që të kthehet shpresa e humbur tek qytetarët që këtu mund të këtë ambient për biznes, mund të këtë sektor priva të fuqishëm dhe mund të këtë investime të huaja dhe mund të përmirësohet imazhi i vendit. Të gjitha këto mund të arrihen atëherë kur do të këtë sundim të rendit dhe ligjit dhe do të këtë unitete politik qoftë të pozitës dhe opozitës qoftë për mes partnerëve të koalicionit dhe jo politika të jetë faktori kyç i stagnimit ekonomik”,  ka thënë ai.

Gërxhaliu ka thënë se fokus i veçantë duhet t’u jepet ndërmarrjeve publike, gjegjësisht sipas tij, qytetarët e Kosovës, duhet ta dinë se çfarë do të ndodh me to. “Në kampanjën zgjedhore kemi parë programe teorike, por qytetari i Kosovës duhet ta di çfarë do të ndodhë me ndërmarrjet publike që janë shndërruar në barrë të rënd për qytetarë si Posta dhe Telekomi i Kosovës, ‘Trepça’ dhe çfarë do të ndodh me kapacitete prodhuese që i ka Kosova, dhe po ashtu cili do të jetë fati i procesit të privatizimit që nga AKP-ja është ndërruar në biznes privat. Po ashtu, duhet të dimë se a do të  bëhet një reformë e administratës publike pa e anashkaluar rëndësinë e dialogut për normalizim të raporteve në me të Kosovës dhe Serbisë dhe shumë sfida tjera. Jemi të vetëdijshëm që vet krijimi i qeverisë së re s’është shkop magjik për t’i zgjidhur problemet  grumbulluara nga e kaluara, por duhet të jetë një mobilizim i të gjithë akterëve relevant që të kontribuojnë për shtet dhe jo për interesa të partive dhe grupeve të interesit. Mos të harrojmë se gjatë fushatës, premtimet kanë qenë shumë të mëdha për mirëqenie sociale dhe zhvillim ekonomik, prandaj kur kemi premtime të mëdha edhe zhgënjimi mund të jetë i madh”, ka deklaruar Gërxhaliu.