Halil Kastrati: Çuditërisht, donacionet në shoqatë janë rritur gjatë pandemisë

Kreu i shoqatës bëmirëse “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati ka folur në “Prime Time” të Kanal 10 për projektet e shoqatës që ai drejton.

Kastrati ka thënë se për festat e 28 Nëntorit, ka nisur dhurimi i 28 shtëpive të ndërtuar nga “Jetimat e Ballkanit” së bashku me donatorët, si dhe ka nisur ndërtimi i objektit të parë nga dy gjithsej që do të ndërtohen në Shqipëri, për familjet që janë prekur nga tërmeti i vitit të kaluar.

Në anën tjetër, edhe pse pandemia ka prekur financiarisht të gjitha sektorët e ekonomisë, Kastrati ka thënë se ka pasur shtim të donacioneve.

“Ka qenë diçka e papritur edhe nga ne, pasi që pandemia ka ndikuar te shumë familje dhe biznese. Por, fatmirësisht janë shtuar donacionet por normal se pandemia ka ndikuar në ngecjen e disa projekteve tona”, ka thënë Kastrati.