Kadri Shalës i caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh

Masa e paraburgimit prej 48-orësh i është caktuar Kadri Shalës, i cili të hënën u dorëzua në Policinë e Kosovës.

Shala është pronari i kompanisë “LDA Group” me bazë në Llapushnik të Drenasit, të cilës iu ishin bërë transaksion mbi dy milionë euro nga Thesari i Shtetit.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Baki Kelani.

“Mund të konfirmojmë se, me vendim të Prokurorit kompetent, personit të vetedorëzuar në Policinë e Kosovës iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, tha Kelani.

“Lidhur me rastin e poshtëshënuar, sot në Polici të Kosovës është vetë-dorëzuar një mashkull kosovar i cili tani është në proces të intervistimit. Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme lidhur me rastin dhe personin në fjalë, do t’i ndërmerr në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetentë”, kishte konfirmuar Kelani pas vetëdorësimit të Shalës.

Ndryshe, më 21 tetor është bërë e ditur se mbi dy milionë euro janë marrë ilegalisht nga Thesari i Shtetit. Policia kishte arrestuar një person dhe ishte në kërkim edhe të dy personave tjerë. Pas skandalit, ishte kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit.