Kafe turke për një jetë të gjatë? Zbuloni faktet shumë interesante

Çdo ditë, amvisat shqiptare përballen me mëdyshje, sfida dhe punë. Përpara se të përballen me këto sfida, tradita e kërkon një filxhan me kafe turke.

Shkencëtarët kanë kryer disa studime në lidhje me jetëgjatësinë e njerëzve në zonën e Ballkanit dhe të Mesdheut në përgjithësi të cilët pinë kafe turke ose siç njihet ndryshe kafeja e bluar imët.

Kafeja u bë e preferuara e Sulejmanit të Madhërishëm, Sulltaneshave dhe Konkubinave të Haremit. Sulltan Sulejmani u marros pas kafesë dhe i dha ‘pijes së zezë’ vulën perandorake. Turqit shpikën metodën e përgatitjes së kafesë me xhezve. Ata i bluan kokrrat e kafesë shumë hollë dhe i zien në ujë. Fisnikët e Oborrit të Sulltanit e kishin kafenë si kriter në përzgjedhjen e nuseve. Nëse kafeja që një grua shërbente ishte e bluar dhe bërë mirë, atëherë ajo do të ishte një grua e shkëlqyer, thotë legjenda. Kafeja u kthye në një instrument edhe për vetë gratë.

Legjenda thotë se nëse ato servirnin një kafe të ëmbël atëherë do të thotë që ishin të lumtura me zgjedhjen e bashkëshortit. Nëse kafeja ishte e hidhur, bashkëshorti nuk u pëlqente. Asokohe, sipas të dhënave, një grua e martuar kishte të drejtën të ndahej nga bashkëshorti, nëse ai nuk sillte kafe në shtëpi. Shumë shpejt në të gjithë perandorinë Otomane u përhapën kafenetë e para të cilat vite më vonë u shpallën të paligjshme, sepse njerëzit qëndronin shumë gjatë në këto vende ku sipas spiunëve të oborrit thureshin kurthe dhe plane për vrasjen e sulltanit.

Në vitin 1656, ndëshkimi për këdo që kapej duke bluar kafe ishte kamzhiku dhe mbytja në det.

Kafeja Turke dhe Jetëgjatësia
Në ishullin Ikaria të Greqisë, të gjithë banorët e nisin ditën me një kafe turke. Ky ishull gjithashtu njihet të ketë popullsinë më jetëgjatë në të gjithë vendin. Kjo frymëzoi disa shkencëtarë të studionin efektin e kafesë dhe mënyrës së jetesës tek jetëgjatësia e njerëzve. 142 njerëz të grupmoshave të ndryshme morën pjesë në studim.

Shkencëtarët morën në konsideratë edhe faktorë të tjerë si, gjinia, pesha, gjatësia, pirja e duhanit, sëmundjet e zemrës dhe hipertensioni. Rezultatet e studimit treguan qelizat endoteliale tek njerëzit që pinin më shumë kafe turke, kishin një performancë më të mirë. Këto qeliza kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në enët e gjakut.

Kafeja turke përmban dy substanca të rëndësishme. Ato njihen si kafestol dhe kaheol, të cilat kanë vlera të mira kundër inflamacionit por edhe shërbejnë si antioksidantë. Këshillohet të mos e teproni me sasinë, pasi si çdo gjë, kur teprohet kthehet në dëm të shëndetit./AgroWeb