Krasniqi përjashton mundësinë që PDK-ja të jetë pjesë e Qeverisë së re, pa zgjedhje

Nënkryetar i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se nuk do të jenë pjesë e kalkulimeve të reja për të formuar Qeverinë e re, derisa thekson se do të preferonin zgjedhjet nëse nuk do të ishte pandemia.

“Qëndrimi i PDK-së ka një vazhdimësi, qëndrimi jonë nuk mund të jetë i ndryshëm sepse zgjedhjet janë mbajtur më 6 tetor dhe qëndrimi ynë s’do të ndryshojë deri në zgjedhjet e ardhshme. Pozicionin tonë do ta vazhdojmë dhe do të jetë në dispozitat kushtetuese. Veseli sot ka takuar presidentin dhe ia ka bërë të qartë se s’do të jemi bazë e asnjë kalkulimi që synon pushtetin”, ka thënë Krasniqi.

Ai thotë se për shkak të pandemisë zgjedhjet në këto momente janë të pamundura, prandaj janë për një rrugëdalje tjetër të këtij ngërçi politik.

“Secila parti opozitare, po mundi kërkon t’i mbajë zgjedhjet edhe në javën tjetër dhe në këtë kuadër nuk mund të kemi ndonjë hezitim për zgjedhjet, por për shkak të gjendjes që gjendemi kjo nuk vlen. Askush s’mund ta thotë me një siguri të plotë se sa mund të zgjasë kjo gjendje e pandemisë. Është e pamundur të parashikohet se kur mund të mbahen zgjedhjet. Ne jemi për respektim të dispozitave kushtetuese që japin një rrugëdalje për këtë ngërç politik”, ka thënë Krasniqi.

Ai thotë se Qeveria Kurti e ka humbur shumicën parlamentare.

“Qeveria e ka humbur shumicën parlamentare. Thelbi i demokracisë ka të bëjë me krijimin e një shumice përfaqësuese në Kuvend. Janë deputetët ata që në një moment të caktuar mund të ndryshojnë qëndrimet dhe mund të synojnë të krijojnë një shumicë parlamentare. Legjitimitetin e përcakton Kuvendi. Ne nuk jemi të interesuar të bëjmë çfarëdo shumice të tillë”, ka thënë Krasniqi.

Ai thotë se Kushtetuesja nuk e përjashton që Qeveria të formohet në raundin e dytë.

“Ne jemi në pajtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuesja nuk e përjashton mundësinë që Qeveria të bëhet në raundin e dytë. Nëse e kemi situatën e njëjtë, që asnjë parti nuk shpreh gatishmëri ose vullnet për të krijuar Qeveri atëherë shkojmë në zgjedhje. Kushtetuta votimin e suksesshëm të mocionit të mosbesimit e konsideron dorëheqje. Te rasti Haradinaj askush nuk ka shprehur gatishmërinë që të krijojë Qeverinë, dhe nëse as tani s’ka gatishmëri atëherë zgjedhjet janë të pashmangshme. Por, ne nuk e dimë deri tani, e dimë vetëm për PDK-në se nuk do të jetë pjesë e një iniciative të tillë”, ka thënë Krasniqi.

Ai thotë se nuk kanë interesim që të bashkëpunojnë me ndonjë parti, përfshirë këtu edhe LDK-në.

“Secila parti mban përgjegjësi për deklarimet e veta. Ne asnjëherë nuk kemi shprehur vullnet që të kemi bashkëpunim me partitë që kanë dalë nga zgjedhjet e fundit”, ka thënë ai.

Ai ka kritikuar Kurtin, i cili ditë më parë në KTV kishte deklaruar se sikur të mos ishte pandemia në ditën e mocionit të mosbesimit do të kishte protesta në shesh.

“Ky mentalitet anarkisht është i gabuar, sepse askush nuk mundet të mendojë se me projeksione të protestimeve mund të zhbëjë vullnetin e qytetarëve që shprehet në zgjedhje, e pas zgjedhjeve atë vullnet e përfaqësojnë deputetët. Ideja se do të kishte protesta, edhe mund të kishte, por do të ishte presion ndaj deputetëve dhe kjo është shkelje e ligjit. Protestat janë legjitime, por ideja për të parandaluar zbatimin e vullnetit qytetarë që shprehet përmes deputetëve për mendimin tim është tendencë për dëmtimin e demokracisë. Në kuptimin e interpretimin kushtetues nuk mund të thuhet se është shkelje (ndryshimi i qëndrimit nga LDK-ja), sepse deputetët e marrin përgjegjësinë për të qenë zëri i qytetarëve”, ka thënë Krasniqi.