Kurti për dialogun: Nuk i kemi borxh askujt, por na kanë shumëçka

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke raportuar në Kuvend për procesin e dialogut me Serbinë.

Ai ka përmendur mësimet kryesore që sipas tij, kanë rrjedhur nga ecuria e deritanishme e procesit të dialgout.

“Është tejet e rëndësishme që palët e përfshira në bisedime të disenjojnë që në start komponetentët e procesit që garantojnë konvergjecën drejt synimit përfundimtar. Kjo duhet të përfshijë kornizat makro mbi elementet përbërëse të marrëveshjes: njohjen reciproke, njohjen nga pesë shtetet e BE-së, anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, mbrojtja reciproke për mbrojtjen e komuniteteve respektive, mekanizmat zbatues dhe monitorues, afatet kohore e të të tjera të ngjashme”.

Kurti tutje theksoi që palët në tavolinë duhet të ndihen të barabarta në secilën fazë të bisedimeve.

“Marrëveshjet e arritura për çështje të pazgjidhura, duhet të kalojnë edhe testin e përshtatshmërisë me vetë normat ligjore dhe standardet  më të mira të Bashkimit Evropian. Uniteti i brendshëm është i rëndësishëm për rritjen e pozicionit negociues të Kosovës”.

Ai tha që është me rëndësi që të ndërtohet konsensus për këtë çështje.

“Qeveria dhe unë jemi duke raportuar në Kuvend dhe në komisione ende pa filluar dialogu. Unë kam ftuar krerët e opozitës për të diskutuar dhe harmonizuar qëndrimet tona. Qasjen tonë ndaj dialogut e dini, pasi e kam përsëritur disa herë. Unë po flas se cila duhet të jenë parimet: pranimin e realitetit për një Kosovë të pavaruar nga ana e Serbisë, pranimi i krimeve të Serbisë në Kosovë, barazia e përfaqësuesve dhe qytetarët si përfitues përfundimtar janë parimet tona udhëheqëse në dialog”, u shpreh Kurti.