Përvojën e marrë nga trajnerët e mëdhenj, Duro synon ta bartë te Feronikeli

Klodian Duro ka qenë njëri prej futbollistëve më të talentuar shqiptarë. Karrierë ka bërë në 11 klube, në pesë shtete të ndryshme. Ka fituar tituj kampioni me klubet ku ai ka luajtur me trofe të tjerë, si dhe ka pasur paraqitje në arenën ndërkombëtare.

Edhe te Kombëtarja e Shqipërisë ka bërë karrierë të bujshme. Në karrierën e tij profesioniste që zgjati plot 17-vjet, Duro ka pasur fatin që të punonte me trajnerë të njohur në skenën evropiane e botërore, shkruan KOHA. Kënaqësia si futbollist për të ka qenë po aq e njëjtë sa është tani si trajner. Por, për t’u marrë me zejen e trajnerit, Duro është inspiruar nga fjalimet dhe punën të cilën e ka parë tek trajnerët që i ka pasur ndër vite.

Fatih Terim, Mircea Lucescu, Josip Kuzhe, Hans-Peter Briegel e Otto Bariq, janë në mesin e shumë e shumë trajnerëve të njohur që e shtynë Duron t’i përkushtohet këtij profesioni pas tërheqjes nga futbolli aktiv. Përvojën e fituar si futbollist Duro synon që ta bartë tani te klubi i Feronikelit, që objektiv si në çdo edicion tjetër ka qëndrimin në tabelë sa më lart, por edhe fitimin e trofeut të Kupës.

Me të njëjtin synim, edhe Duro u emërua trajner te klubi nga Drenasi javë më parë duke u zëvendësuar në këtë post me Afrim Tovërlanin.

“Nuk është e thjeshtë ta përfundosh karrierën si futbollist. Çdo lojtar uron që të vazhdojë sa më gjatë, por nuk është e lehtë të shkëputesh. Megjithatë, çdo fillim e ka edhe një fund që s’është i lehtë. Gjithmonë e kam pasur dëshirë që pas futbollit të luajtur të jem trajner. Isha shumë i bindur se mund të bëj mirë. Kam qenë gjithmonë afër futbollistëve dhe jam ende, më jep kënaqësi, adrenalinë”, ka thënë Duro në një rrëfim për KOHËN.

Duro ka pasur mundësi që në futboll të mbetet edhe si drejtor sportiv apo në ndonjë post tjetër. Sidoqoftë, ai u beson ideve të veta dhe thotë se është në rrugë të mirë për të qenë trajner. Madje, që në sezonin e parë pati sukses duke e fituar Kupën e Shqipërisë që ia siguroi daljen në Evropë.