10 deputetët e Listës Serbe dorëzojnë dorëheqjen

Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur se dhjetë deputetë të Listës Serbe sot kanë dorëzuar dorëheqje të parevokueshme.

“Njoftojmë se 10 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga subjekti politik parlamentar Lista serbe, kanë dorëzuar dorëheqje të parevokueshme”, thuhet në njoftimin e dërguar.

Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës pasoi pas nisjes së shpërndarjes së fletëqortimeve për targat.

Të shtunën më 5 nëntor, Lista Serbe ka njoftuar për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Ndërkaq të dielën më 6 nëntor, kanë dhënë dorëheqje edhe kryetarët e katër komunave veriore.