Apple: COVID-19 vonon dërgesat e iPhonëve

Kompania Apple ka bërë të ditur se për të marr produktet e saj më të reja iPhone 14 Pro ose iPhone Pro Max, duhet pritur kohë më të gjatë.

Krejt kjo si pasojë e përhapjes së rasteve të reja të COVID-19 në Kinë.

Gjigandi i teknologjisë ka njoftuar se fabrika e tij në Kinë, për momentin po funksionon me kapacitet ndjeshëm të reduktuar.

Lajmi i Apple vjen derisa Kina përsërit angazhimin e saj për luftë ndaj COVID-19.

“Siç kemi bërë gjatë gjithë pandemisë COVID-19, ne po i japim përparësi shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve në zinxhirin tonë të furnizimit”, thuhet në deklaratën e kompanisë Apple, e cila në shtator nisi linjën e saj të re të iPhonëve.

Sipas kompanisë kërkesat për modelet e reja janë të mëdha.

“Ne vazhdojmë të shohim kërkesa të mëdha për modelet iPhone 14 Pro dhe iPhone 14 Pro Max. Megjithatë, ne tani presim numër më të ulët të dërgesave të iPhone 14 Pro dhe iPhone 14 Pro Max sesa kishim parashikuar më parë dhe klientët do të përjetojnë kohë më të gjata pritjeje për të marrë produktet e tyre të reja”, thuhet tutje në deklaratë.

Njoftimi ka gjasa të zhgënjejë investitorët që shpresonin se Kina do të hiqte kufizimet e saj të COVID-19 në një të ardhme të afërt.