111 pacientë të shtrirë në Klinikën Infektive, tre në gjendje të rëndë

111 pacientë janë të shtrirë në Klinikën Infektive, ku prej tyre 72 janë në oksigjeno-terapi, ndërsa katër në Mjekimin Intensiv.

Nga këta pacientë tre janë në respiratorë dhe gjendja e tyre është e rëndë. Mëngjesin e djeshëm në këtë klinikë ka vdekur një person, ndërkohë që edhe në orët e vona të natës ka humbur jetën një pacient me COVID-19.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress ushtruesja e detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive Lindita Ajazaj – Berisha e cila ka shtuar se ditëve të fundit ka pasur rritje të numrit të rasteve të spitalizuara në Klinikën Infektive

“Në Klinikën Infektive sot i kemi të spitalizuar 111 pacientë. Prej tyre 72 janë me oksigjeno-terapi, ndërsa katër pacientë janë në Mjekimin Intensiv. Prej tyre tre janë në respiratorë. Ka pacientë të cilët janë me oksigjeno-terapi dhe janë në gjendje të rëndë, por që për momentin janë duke u menaxhuar nëpër reparte. Dje kemi pasur 16 pacientë të pranuar në klinikë, ndërsa shtatë pacientë janë liruar nga klinika”.

Ajo, përmes telefonit, ka bërë të ditur se në orët e vona të mbrëmjes ka humbur jetën një person i konfirmuar me COVID-19, ndërkohë që edhe në mëngjes në Klinikën Infektive ka vdekur një pacient tjetër.

“Dje në orët e hershme të mëngjesit ka qenë një rast i vdekjes, derisa edhe në orët e vona e natës ka qenë po ashtu një rast i vdekjes me COVID-19. Në Klinikën Infektive gjatë ditës numri ndryshon, por të gjithë pacientët të cilët kanë pasur nevojë për spitalizim në Klinikën Infektive janë spitalizuar, sepse vazhdimisht lirohen dhe pranohen pacientë të tjerë. Në momentin që mbushen kapacitetet e klinikës ju e dini se në kuadër të Planit Organizativ të SHSKUK-së tani janë edhe klinikat COVID-3 të cilat janë të dedikuara për pacientët me COVID-19. Kështu që çdo pacient i cili ka nevojë për spitalizim do të spitalizohet dhe menaxhohet nga mjekët”.

Ajazaj- Berisha tregon se rastet të cilat kanë nevojë për trajtim dhe janë raste të konfirmuara me COVID-19 do të dërgohen në Klinikën Infektive, ndërsa rastet e dyshuara në atë të Pulmologjisë.

“Ne dje në klinikë kemi pasur 91 raste ambulantore të cilët kanë kërkuar trajtim në Klinikën Infektive. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë pacientë që kanë rezultuar pozitiv, dhe të cilët është dashur të trajtohen në mënyrë ambulantore. Ndërsa, ata që kanë pasur nevojë për spitalizim janë spitalizuar”.

Ajazaj shton se rritja e numrit të pacientëve të spitalizuar në Klinikën Infektive duhet të rrisë vetëdijen e qytetarëve për respektimin e masave mbrojtëse kundër përhapjes së COVID-19.

Gjatë ditës së djeshme janë konfirmuar 728 raste të reja me koronavirus dhe janë regjistruar 12 vdekje.