Mandatari për kryeministër, Glauk Konjufca, ka thënë se viti 2025 do të mbahet mend si vit që shumica e tij humbi duke u përpjekur t’i bëjë institucionet, tek është prezantuar para deputetëve duke kërkuar votën për formimin e qeverisë që synon ta udhëheqë. Ai ka thënë se do të ishte arrogancë po që se Kosova shkon sërish në zgjedhje.
“Synojmë ta kursejmë Kosovën nga zgjedhje të tjera. Do të ishte arrogancë ta çojmë vendin në zgjedhje sërish. Nëse i mbajnë më dhjetor, kush na garanton që nuk shkojmë edhe në mars. Të mos harrojmë që ideja e domosdoshmërisë për mandatarin e dytë lindi pas dështimit në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se në veri të vendit janë luftuar me sukses strukturat e Serbisë të lidhura më krimin dhe kontrabandën. Konjufca tha se në planin ndërkombëtar gjatë këtij mandati u mundësua lëvizja pa viza dhe erdhën edhe tri njohje.
“Pa një qeveri të re, vendi ynë e ka sigurt thellimin e krizës aktuale”, ka deklaruar ai.
Konjufca ka thënë se tre hapa esencialë janë marrë nga VV-ja për shmangien e zgjedhjeve.
“Dy letra për koalicion drejtuar partisë së tretë, e dyta përpjekja në Kryesinë e Kuvendit dhe e treta është kjo e fundit ku ndodhemi tash”, ka thënë Konjufca.