6 raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit në Shqipëri

Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë konfirmuar 6 raste të reja me koronavirus, duke bërë që numri i të infektuarve në vendin tonë të kalojë mbi 1000.

Nga rastet e reja 4 janë në Tiranë dhe 2 në Shkodër, ndërsa në spitalin Infektiv janë të shtruar 16 pacientë.

Njoftimi i Ministrisë:

Ju informojmë rreth situatës së COVID 19 në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit.

Mbështetur në strategjinë e lehtësimit të masave mbi kriteret e rasteve të shtruara në spital, rasteve që kërkojnë trajtim në terapi intensive, rasteve të humbjeve të jetës, situata ka qenë e qëndrueshme, përkundrejt 14 ditëve të vlerësimit të saj.

Kurba epidemike në Shqipëri ka qenë e butë dhe e qëndrueshme. Hetimi i thelluar epidemiologjik ka treguar luhatje ditore të rasteve në dy javët e fundit.

Situata në spitalin infektiv paraqitet e qëndrueshme. Aktualisht po trajtohen 16 pacientë, ndërsa 4 prej tyre janë në terapi intensive.

Numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin sot ka kaluar mbi 1 mijë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 6 raste pozitivë. 4 raste janë në Tiranë dhe 2 në Shkodër, kryesisht kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, por edhe raste në proces hetimi epidemiologjik. Po aq sa numri i të prekurve është edhe numri i të shëruarve gjatë 24 orëve të fundit. 6 raste janë të shëruar në 24 orët e fundit.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14500 testime molekulare dhe serologjike. Në vendin tonë aktualisht janë 177 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.

Nga fillimi i epidemisë rreth 79% e të prekurve tashmë janë të shëruar. Fatkeqësisht 32 qytetarë nuk e kanë fituar betejën me Covid19, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienen vetjake. Qytetarët nuk duhet të neglizhojnë shenjat e Covid19 si kollë, temperaturë, vështirësi në frymëmarrje.