Pse dështoi në herën e dytë seanca konstituive e Kuvendit?

Të enjten, më 17 prill, për herën e dytë dështoi seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Në hapje të kësaj seanca, kryesuesi Avni Dehari, që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i ftoi përfaqësuesit e partive politike për konsultime.

Këtë veprim, Dehari e arsyetoi me nevojën për të shmangur “shkelje procedurale, ligjore dhe kushtetuese”.

Pas konsultimeve, ai njoftoi se nuk ishte arritur konsensus mes subjekteve politike dhe se seanca do të vazhdojë sot në ora 12:00.

Ai deklaroi se letra e presidentes Vjosa Osmani, që i ishte dërguar Kuvendit, “ka dhënë sqarime në një aspekt, por jo zgjidhje përfundimtare”, duke u bërë thirrje deputetëve që të tregojnë vullnet për ta zhbllokuar procesin, njofton Klankosova.tv.

Por, kësaj radhe kryesuesi i Kuvendi s’e hodhi fare në votim raporti i Komisionit që do ta verifikonte kuorumin dhe mandatet.

E kështu u mbyll edhe seanca e dytë e Kuvendit.

Përfaqësuesit e partive opozitare nga legjislatura e kaluar, e akuzuan kryesuesin Avni Dehari, për shkelje të rënda procedurale, duke moszbatuar skenarin e kësaj seance.

PDK, LDK e AAK, nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre paraprake për votimin e kryetarit të Kuvendit dhe të Qeverisë.

Mirëpo, për të vazhduar tutje, pra ta votojnë raportin për verifikimin e mandateve, ata kërkojnë dorëheqjen e Albin Kurtit nga pozita e kryeministrit dhe të kabintetit qeveritar.

Këta të fundit, thonë se një gjë të tillë tashmë e kanë bërë.