Për të njëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Ligjbërësit refuzuan për të tretën herë rresht që ta formojnë një komision për votimin e fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.
Në vazhdimin e seancës konstituive, të hënën, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Seanca konstituive do të vazhdojë të mërkurën, në orën 10:00.
Deputetë të partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë thonë se është jokushtetuese mënyra se si Lëvizja Vetëvendosje (LVV) po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se deputetët mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.
Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, por në gjashtë votime, kandidatja e saj, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i marrë votat e nevojshme, përkatësisht 61.
Para përpjekjes së nëntë për konstituimin e Kuvendit, më 1 maj, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ftoi në takim udhëheqësit e PDK-së dhe të LDK-së.
Kreu i PDK-së pranoi ftesën, por pas takimit ai nuk njoftoi për një ujdi se si të shkohet përpara.
Partitë që po kundërshtojnë emrin e Haxhiut për kryeparlamentare i kanë kërkuar LVV-së të ndryshojë propozimin për postin, në mënyrë që procesi të zhbllokohet.