Indeksi i harmonizuar i çmimeve të komsumit ishte 3 për qind më i lartë në muajin prill krahasuar me prillin e vitit 2024 dhe 0.2 për qind në krahasim me marsin e këtij viti, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Në muajin prill, ndër produktet që kanë pësuar rritjen më të ndjeshme të çmimeve janë kafeja, çaji dhe kakaoja – me një mesatare alarmante prej 16% më shumë krahasuar me një vit më parë. Bashkë me to, janë shtrenjtuar ndjeshëm edhe shërbimet për mirëmbajtjen e mjeteve të transportit personal, frutat, vajrat dhe yndyrat, mishi, energjia elektrike, produktet bazë të bulmetit (qumështi, djathi, vezët), perimet, si dhe shërbimet hoteliere dhe pijet alkoolike.
Përderisa gjatë katër viteve të fundit, Kosova përjetoi nivele dyshifrore të inflacionit, Kurti si opozitar kritikonte qeveritë e mëparshme për “inflacion 2 për qind”, rritje që në atë botë, sipas tij, ishte jashtëzakonisht e lart.“Thonë rritja ekonomike gati 4 për qind. Por inflacioni e ki mbi 3 për qind. T’ka ra numri i të punësuarve. T’u kanë rrit çmimet. Ikin njerëzit.”- deklaronte Kurti para 5 viteve.
Sipas të dhënave të muajit mars 2025, inflacioni ishte 0.8 për qind në nivel mujor, dhe 2.9 për qind në nivel vjetor, krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Ndërsa në janar, inflacioni mujor i matur ishte 0,7 për qind, ndërsa norma vjetore e inflacionit arriti në 1,5 për qind krahasuar me janarin e vitit 2024 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
“Asnjëherë në dy dekada çmimet nuk kanë qenë më të larta se sot. Edhe gjatë krizës së vitit 2022/2023, kur inflacioni mesatar në disa muaj preku 14%, niveli i përgjithshëm i çmimeve nuk arriti këtë pikë.
Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, çmimet mesatare të produkteve gjatë dy muajve të fundit kanë arritur nivelin më të lartë në 20 vitet e fundit. Sot kam shikuar matjet nga maj 2002 e deri në prill 2025, bazuar në indeksin me vit referencë 2015=100.” – deklaroi njohësi i ekonomisë, Shenoll Muharremi, duke iu referuar analizës së indeksit nga maj 2002 deri në prill 2025, bazuar në vitin referencë 2015=100.
Në anën tjetër, Berat Rukiqi, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, paralajmëroi se rritja “mbi 250-300% e kostos për biznese” do të ketë efekte katastrofale për ekonominë e vendit, si pasojë e rritjes së kostos së energjisë për sektorin privat.
“Sa për rikujtim për të gjithë, përfshirë kasten e dëmshme, amatoreske dhe jo vetëm, të partisë që çdo gjë po e qon dëm, kjo rritje mbi 250-300% e kostos për biznese ka këto efekte katastrofale për ekonominë e vendit: 1) Rritje çmimesh, deri ne papërballueshmëri,2) Largim të punëtorëve nga puna, 3) Falimentim të bizneseve”, tha mes tjerash Rukiqi.
Katër vitet e fundit kanë sjellë një tronditje të thellë ekonomike sa i përket rritjes se çmimeve. Çmimet e produkteve bazike janë rritur me mbi 50 për qind, ndërsa inflacioni i përgjithshëm kumulativ për periudhën katërvjeçare ka arritur 22 për qind – një nivel që nuk është parë në dekada./nacionale