Përpjekja e 16-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës do të mbahet sot (e enjte), më 15 maj me fillim prej orës 10:30. Me këtë seancë bëhet fiks një muaj që kur kanë nisur përpjekjet e dështuara, çdo dyditëshe, për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.
Në 15 dështimet e mëhershme, Lëvizja Vetëvendosje fillimisht nuk arriti të merrte më shumë se 61 vota për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare, e më pas nuk u bënë shumica për të ndryshuar mënyrën e votimit në të fshehtë, sipas propozimit të kryesuesit Avni Dehari.
Emri i Haxhiut është konsideruar jounifikues nga partitë opozitare. Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do të mund të mbështeste emra të tjerë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka përmendur të paktën dy emra të tjerë.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë qenë mbajtur mbajtur më 9 shkurt, ndërsa rezultatet janë certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor më 27 mars. Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë me 42 për qind, ka të drejtën e propozimit të emrit për kryeparlamentar.