Një debat i ashpër është zhvilluar të enjten mbrëma në emisionin televiziv “Krejt n’Debat” mes këngëtarit të njohur Robert Berisha dhe ish-missit Afërdita Paqarada, i cili ka ngjallur shumë reagime në rrjetet sociale dhe opinionin publik.
Tema e diskutimit, e cila nisi rreth menaxhimit të jetës personale dhe imazhit publik, shpejt mori një kah tjetër kur tensionet mes dy të ftuarve u rritën ndjeshëm. Afërdita Paqarada u shpreh me tone këshillimi ndaj Robertit, duke i thënë:
“Në çdo punë, në çdo projekt duhet të menaxhosh, edhe jetën tënde duhet të menaxhosh, Robert. Mos e merr për keq, kjo është si një këshillë normale. Ti duhet të kesh pak konsideratë. Pikërisht kjo është arsyeja që ty ta nxjerrin vetëm anën negative, për sjelljen tënde ofenduese dhe fyese. Normal që edhe mediat sillen në tjetër mënyrë”.
Por këto fjalë duket se nuk u pritën mirë nga këngëtari, i cili reagoi ashpër duke deklaruar: “O s’bon me iu lon juve me fol se ju flisni përmendësh. S’po du me të ofendu, por moj u bëj e mençur këtu se je femër, se me qenë mashkull ndryshe do kishim folur unë e ti”.
Kjo deklaratë e Berishës u pa nga shumë si seksiste dhe ofenduese, duke nxitur një reagim të menjëhershëm nga Paqarada, e cila u përgjigj: “Me qenë mashkull, hajde e shohim se unë ushtroj kick boks e dalim unë e ti si mashkull e femër. Çka është kjo sjellje? Dëgjom, nëse kemi këtë nivel të bisedës, nuk mendoj që mua më takon të flas”.
Përplasja u ndërpre më pas nga moderatori i emisionit, i cili tentoi të qetësonte situatën dhe të rikthente debatin në një rrjedhë më të moderuar.
Reagimet në rrjete sociale ishin të shumta, me ndjekës që ndanë mendime të ndryshme. Disa u shprehën në mbështetje të Afërditës për qëndrimin e saj të qetë dhe të argumentuar, ndërsa të tjerë kritikuan qëndrimin e Robertit si të papërshtatshëm dhe nxitës.