Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur seanca e shqyrtimit gjyqësor të rastit së vrasjes së Liridona Ademajt, 30-vjeçares së vrarë në nëntor të vitit 2023.
Në seancë janë të pranishëm tre të akuzuarit – Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtim Kokalla – familjarët e viktimës dhe avokati i familjes Ademaj, Leotrim Syla.
Sërish, Murseli është deklaruar i pafajshëm dhe Plava s’ka pranuar të deklarohet për fajësinë duke thënë se dëshirohet të mbrohet në heshtje. Këtë herë, Kokalla – që në seancën fillestare, të mbajtur më 31 janar, kishte thënë se s’do të deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen – u deklarua i pafajshëm.
Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, tha se Prokuroria posedon numër të madh të provave për akuzat e ngritura, si dhe deklaratat e të akuzuarve të dhëna për Policinë e Kosovës.
“Gjatë krahasimit të deklaratave dhe provave të mbledhura, Prokuroria është bindur dhe po tentojmë ta bindim trupin gjykues dhe publikun se të akuzuarit kanë kryer veprën penale”, tha Përlinçeviq.
Seanca për nisjen e shqyrtimit gjyqësor të këtij rasti ishte caktuar pasi Gjykata Themelore në Prishtinë kishte konfirmuar më 26 mars aktakuzën për vrasjen e Liridona Ademajt.
Në aktakuzën e ngritur më 15 janar, ata akuzohen për vrasjen e 30-vjeçares së vrarë më 29 nëntor të vitit 2023, në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Gjatë seancës fillestare, fajtor ishte deklaruar i përfshiri i katërt në aktakuzën për vrasjen e Ademajt, Tom Dodaj. Ai ishte përfshirë në aktakuzë, pasi ia ka shitur armën Murselit, me të cilën ishte kryer vrasja e Liridona Ademajt. Dodaj u dënua me pesë vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Në seancën fillestare, gjyqtarja e rastit, Fatime Dermaku, kishte thënë se, nëse gjenden fajtorë, Murseli, Plava dhe Kokalla mund të dënohen nga 10 vjet e deri me burgim të përjetshëm.