Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që ta ndërpresë urgjentisht procesin e liberalizimit të tregjit të energjisë derisa të përmbushen parakushtet thelbësore.
“Paralajmërimet e përfaqësuesve të sektorit privat tashmë po bëhen realitet, meqë pak ditë prej kur ka hyrë në fuqi liberalizimi i tregut, të paktën dy kompani prodhuese kanë njoftuar pezullimin e operacioneve, duke përmendur kostot e energjisë elektrike dhe paqëndrueshmërinë e krijuar si arsye kryesore, ndërsa institucionet shtetërore janë informuar për këto zhvillime. Kjo konfirmon se liberalizimi, siç ka nisur të zbatohet, nuk është vetëm i parakohshëm, por po dëmton edhe aktivitetin ekonomik të Kosovës dhe klimën e investimeve”, ka thënë Oda Ekonomike Amerikane.
Oda Amerikane ka thënë se derisa liberalizimi mbetet një domosdoshmëri strategjike në rrugën e Kosovës drejt integrimit rajonal dhe në BE në fushën e energjisë, ka bërë thirrje që tranzicioni të menaxhohet me përgjegjësi, transparencë dhe me përgatitje nga gjitha palët.
“Deklarimet e publikuara dje në mediat e Kosovës e që u atribuohen Bashkimit Evropian theksojnë qartazi këtë pikë: liberalizimi duhet të jetë gradual dhe i menaxhuar në një mënyrë që minimizon çrregullimet sociale dhe ekonomike. Ashtu siç është thënë disa herë nga Oda Amerikane dhe nga hisedarët e tjerë që përfaqësojnë interesat e sektorit privat, liberalizimi ka ndodhur pa përmbushjen e kritereve të nevojshme të tregut, në kushte të konkurrencës së kufizuar në aspektin e furnizimit, duke vendosur një barrë të papërballueshme mbi bizneset e mëdha”, thuhet nga Oda Amerikane.