Sulmuesi i talentuar brazilian i Real Madridit, Endrick Felipe, po përballet me një të ardhme gjithnjë e më të pasigurt në “Santiago Bernabéu”.
Me Gonzalo Garcia Torres që po fiton terren si zgjedhja më logjike për repartin ofensiv të Xabi Alonsos, gjithnjë e më shumë klube po përgatiten për të bindur Real Madridin se ata janë destinacioni i duhur për 18-vjeçarin.
Sipas “Cadena SER”, Endrick së fundmi udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara për të diskutuar të ardhmen me drejtuesit e Real Madridit, dhe është bërë e qartë se klubi sheh si alternativën më të mirë huazimin e tij për sezonin e ardhshëm.
Deri tani, Endrick kishte vetëm një synim: të qëndronte në Madrid dhe të provonte se Carlo Ancelotti kishte gabuar që nuk i dha më shumë minuta sezonin e kaluar.
Megjithatë, interesimi për të është rritur ndjeshëm dhe tani në lojë janë klube nga Italia, Franca, Gjermania dhe Spanja.
Mësohet se të paktën dy klube, përfshirë një që do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin tjetër, do të paraqesin oferta zyrtare për huazimin e tij.
Villarreal shihet si kandidati më i mundshëm në La Liga, duke qenë se Barcelona dhe Atletico Madrid janë jashtë diskutimit për shkak të rivalitetit, ndërsa Athletic Bilbao nuk mund të transferojë lojtarë jo-baskë.
Një rikthim në Brazil është gjithashtu në tryezë – opsion që do t’i garantonte Endrickut minuta të plota dhe shanse për gola, në përpjekjen e tij për të siguruar një vend në Kombëtaren e Brazilit për Kupën e Botës 2026.
Përveç Villarrealit, interes konkret kanë shfaqur edhe Bayer Leverkusen dhe RB Leipzig në Bundesliga, si dhe Juventus e AC Milan në Serie A – të gjithë të gatshëm të ofrojnë platformën e nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të njërit prej talenteve më të mëdhenj të futbollit brazilian.